Vazhdon të jetë diskutabile lista e produkteve tatimi i të cilave do të rritet për 5%, gjegjësisht tani do të shënojë 10%. Sipas autoriteteve qeveritare që e kanë përgatitur listën, këto produkte llogariten si luksoze, gjegjësisht nuk konsumohen në përditshmëri.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, këtë vendim të Qeverisë e konsideron si të qëllimshëm, për shkak se siç thotë, përmes tatimeve dëshirojnë të mbledhin para në kurriz të qytetarëve.
“U mungojnë të holla. Çfarë bëjnë në këtë rast, burimi i vetëm për më tepër të holla u ngelen tatimet më të larta në kurriz të qytetarëve. Për këtë qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se një denarë që e paguajnë më tepër për produktet të cilat deri dje i kanë paguar më lirë, janë para direkisht për tenderë në katër sy të Qeverisë së BDI-së dhe LSDM dhe janë para direkte për këta njerëz të cilët janë pjesë e koalicionit BDI dhe LSDM”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Megjithatë, kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski e mbronë vendimin e Qeverisë. Ai thotë se Maqedonia edhe më tej ka përqindjen më të ulët të tatimit në Ballkan, duke përmendur se në Serbi tatimi është 20%, në Kroaci 25%, në Greqi 21%, në Shqipëri 20%. Sa i përket produkteve bazë, Kovaçevski shprehet se ato do të mbeten edhe më tej me tatim prej 5%.
“Nëse ka një, dy apo tre produkte të cilat me të vërtetë paraqesin sasi, diçka që shfrytëzohet në përditshmëri, atëherë mund të shqyrtohen. Mirëpo lista është shikuar detajisht, dhe të gjitha produktet që janë me normë preferenciale prej 5%, ato janë 1600 produkte. Me 5% janë ato produkte që në pjesën më të madhe përdoren nga qytetarët në përditshmërinë e tyre”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Për të rishqyrtuar listën e produkteve, mundësinë nuk e përjashtoi as zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. Ai dje para mediave tha se nuk do të jetë fare problem që të ndryshohet vendimi për dhjetë produkte për të cilat ka reagime nga qytetarët. Përndryshe kjo masë ishte sjellë më 28 shtator por në fuqi ka hyrë nga dita e djeshme. Vendimi u bë publik vetëm 2 javë pasi Qeveria vendosi që së paku për 10% të ulen çmimet e produkteve bazë si mielli, buka, mishi, pemët, perimet dhe lëngjet.
