Media shtetërore e Kinës gjithashtu sulmoi NATO-n për hapat e saj ndaj demokracive në rajon me tabloidin “Global Times” që publikoi një editorial duke akuzuar grupin se është “burimi i luftës” kudo që shkon. “NATO duhet të tërheqë menjëherë dorën e zezë që ka shtrirë drejt rajonit të Azi-Paqësorit”, shkruhej ndër të tjera në artikull
Të jesh atje pa dhënë përshtypjen se je vërtet atje. Ky është synimi i ri dhe shumë i rëndësishëm i NATO-s. Në samitin e Vilnius-it, në Lituani, aleanca ratifikoi forcimin e bashkëpunimit me të ashtuquajturin grup AP4, ose partneri Azi-Paqësor i Aleancës Atlantike, të formuar nga Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re. Në thelb është një konsolidim i mëtejshëm i një tendence që ishte evidente tashmë një vit më parë, me rastin e samitit të mëparshëm të NATO-s të mbajtur qershorin e kaluar në Madrid. Udhëheqësit e AP4 vunë në dukje asokohe pandashmërinë e sigurisë së Indo-Paqësorit dhe Evropës, duke hedhur themelet për një fije të përbashkët të aftë për të lidhur dy zonat gjeopolitike. Të pranishmit gjithashtu kishin ndarë me dëshirë vullnetin për të koordinuar dhe promovuar bashkëpunimin e tyre si partnerë të NATO-s, duke shfrytëzuar avantazhet e tyre përkatëse dhe duke marrë një rol udhëheqës në thellimin e komunikimit midis Indo-Paqësorit dhe vetë Organizatës./koha