Rritja e mbështetjes financiare nga Banka botërore është rezultat i partneritetit tonë afatgjatë, ndërsa korniza e re strategjike është mundësi për rritje të përshpejtuar ekonomike në Maqedoninë e Veriut, konstatuan kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe drejtoresha ekzekutive operative e Bankës botërore, Ana Bjerde në takimin e sotëm në Nju Jork.
Në takim morën pjesë Nina Fiti Nedellkovska, këshilltare e drejtorit ekzekutiv të njësisë tonë në Bankën botërore në shoqërim të kryeministrit, si dhe nënkryetarja e Bankës botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Antonella Basani.
Siç kumton Pres shërbimi qeveritar, në takim u përshëndet partneriteti 30 vjeçar i Maqedonisë së Veriut me Grupin e Bankës botërore shndërruar në mbështetje financiare dhe teknike e që ka një kontribut të madh në segmente të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë.
Kryeministri Kovaçevski pas takimit me Ana Bjerden deklaroi se kanë biseduar për tre tema jashtëzakonisht të rëndësishme.
E para, siç theksoi kryeministri është mbi realizimin e portofolit aktual që ka Banka botërore në Maqedoninë e Veriut, bëhet fjalë për portofol prej 400 milionë euro projekte, disa prej të cilave tashmë janë në fazën e zbatimit dhe janë në pjesën e infrastrukturës, në fushën e forcimit të konkurrencës, energjetikës, etj.
“Tema e dytë e rëndësishme është se kemi biseduar për kornizën e re strategjike për bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bankës botërore. Bëhet fjalë për portofol që aktualisht po diskutohet dhe që kap dyfishin e asaj që kemi tani si projekte në zbatim dhe natyrisht aspektet kryesore të financimit të projekteve do të jenë në pjesën e financimit të infrastrukturës, në pjesën e forcimit të kapaciteteve energjetike, mbrojtjen e mjedisit jetësor, kapitalit njerëzor, si dhe përmirësimin e mjedisit konkurrues për kompanitë në vend”, theksoi Kovaçevski.
Ai shtoi se tema e tretë që kanë biseduar ka qenë mbështetja direkte buxhetore konform me politikat e Bankës botërore e cila ka të bëjë me financimin e projekteve, pjesë të buxhetit dhe që kanë të bëjnë me reformat e rëndësishme në shtet që janë duke u realizuar dhe të cilat janë ose në procedurë parlamentare ose në procedurë qeveritare me tendencën për të përmirësuar të gjitha aspektet e shoqërisë në vend.
“Duhet të theksoj edhe një herë kënaqësinë për këtë takim domethënës i cili edhe një herë konfirmon partneritetin e fuqishëm midis Bankës botërore dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski pas takimit.
Drejtoresha Bjerde, siç thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të qeverisë u shpreh e kënaqur nga partneriteti afatgjatë me vendin tonë, si dhe për rezultatet zhvillimore të arritura gjatë viteve të bashkëpunimit. Duke e vlerësuar takimin si jashtëzakonisht të dobishëm, Bjerde dhe Basani konfirmuan mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
