Ngjarja me incidentin e 24 shkurtit kishte vënë në lëvizje gjithë autoritetet e Aviacionit Civil te Kosovës dhe ato që merren me sigurinë aeronautike te shtetit.
Fakti se raporti i parë i hetimit preliminar dhe ai i dyti dallonin shumë, kishte bërë që autoritet të kërkonin edhe mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës për një gjë të tillë.
Kiksi raportoi në mars, duke u bazuar në burim të tij, se si Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike kishte kërkuar edhe përkrahje nga vetë ministri Liburn Aliu, në mënyrë që hetimet të realizohen në mënyrë të pavarur dhe në të gjitha institucionet.
Dyshimet për ndërhyrje u vërtetuan gjatë hetimeve dhe përpilimeve të raporteve të AShNA-së, kishin ndryshime thelbësore qe preknin jo vetëm situatën se si rrodhi ngjarja, por edhe shkaktarin e incidentit.
Andaj KAHIA nuk po bindej me përfundimet e këtyre raporteve, kështu që u detyrua të kërkonte informacione dhe dëshmi shtesë për rastin.
Ata kësaj radhe donin diçka që dëshmonte me pamje sjelljet dhe ndodhinë në kullën e radarit më 24 shkurt të vitit 2023, kështu që kërkuan video xhirimet e ditës kritike.
Mëdyshjet e saj ishin te deklarimi dhe verifikimi nëse kontrollori i tretë ishte apo jo në vendin e punës, i cili kishte deklaruar personalisht se gjatë incidentit ishte ne pauzë, apo qëndronin deklarimet e thëna nga kolegët e tij që nuk ishin në dijeni se kontrollori i tretë qe atë ditë mbikëqyrësi i tyre.
Kësaj radhe iu besua hartimi i një raporti të tretë Autoritetit të Aviacionit Civil, ku historia u tregua e ndryshme nga dy herët e kaluara.
Zyrtarët përgjegjës për hetime në këtë autoritet nuk qenë tërësisht të pavarur, ata ndryshuan një fakt që lidhet më kontrollorin e tretë, që është ora e ardhjes së tij në vendin e punës.
Ata ndërhynë në raport, duke theksuar se AShNA-s iu përvodh një gabim.
Gabimi, sipas tyre, ishte ora e regjistruar e ardhjes në punë të kontrollorit të tretë, i cili u nënshkrua se erdhi në punë gjysmë ore pas incidentit, por që në sqarimin e AAC-së thuhet se ai kishte ardhur një orë më vonë, apo 1 orë e 30 minuta pas incidentit.
Kjo vë në pikëpyetje gjithë hetimin për faktin se kontrollori i tretë kishte deklaruar se mori në kontroll radarin, ani se nga dëshmitë e reja ai erdhi në punë 90 minuta pas incidentit, që rrjedhimisht i bie se kontrollorët vazhduan të menaxhonin hapësirën ajrore edhe për 1 orë e 30 minuta pas incidentit.
Ardhjen me një orë e gjysmë me vonesë e vërtetuan edhe kamerat e sigurisë.
Sidoqoftë, kur AShNA dështoi të mbrojë kontrollorët e saj, pasi u vërtetua se gabimi ishte njerëzor, nxori një alibi tjetër, atë të problemeve shëndetësore.
Por ky fakt shkaktoi përplasje brenda autoriteteve mjekësore të të dyja institucioneve, AAC-së dh AShNA-s./klankosova
