www.infinit.mk
Menu
  • LAJME
    • MAQEDONI
    • KOSOVË
    • SHQIPËRI
  • RAJONI & BOTA
  • TEKNOLOGJI
  • SPORT
  • SHOW BIZ
  • KURIOZITETE
Menu

Salltirovskin nga EVN: Me mbështetjen e institucioneve do të reduktojmë vjedhjet e energjisë elektrike

Posted on September 11, 2023September 11, 2023 by User User1

Shkup, 11 shtator– Deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti, të gjithë orëmatësit e qasshëm do të përshtaten në tarifën e lirë ditore. Ekipet tona në terren punojnë me intenzitet të vrullshëm. Që ta sigurojmë këtë shërbim, por edhe njëkohësisht t’i zvogëlojmë humbjet, gjatë 15 viteve të fundit vazhdimisht punojmë në realizimin e projekteve për modernizim dhe rikonstruim të rrjetit në të gjithë territorin e Maqedonisë, në mes të cilave edhe në Sllupçan. Ndonëse kishte disa keqkuptime, pas bisedimeve konstruktive me banorët, aktivitetet në terren filluan dhe do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim. Rikonstruimi dhe modernizimi i rrjetit është i rëndësishëm nga më shumë aspekte, e veçanërisht në kontekst të sigurimit të parakushteve teknike për vendosjen e tarifës së lirë tek çdo orëmatës. Për atë se si  po zhvillohen aktivitetet në terren, bisedojmë me drejtorin e EVN Elektrodistribuimi, Sasho Salltirovski, i cili thekson se të gjithë konsumatorët janë të barabartë para ligjit, se energjia elektrike e konsumuar duhet të matet saktë dhe detyrimet për pagesë duhet të kryhen në kohë.

Pas disa muajsh do të duhet të fillojë tarifa e lirë të cilën qytetarët po e presin me interesim të madh, veçanërisht në kohë inflacioni. A do të kenë të gjithë qytetarët tarifë të lirë?

Ashtu siç e dini, Elektrodistribuimi vazhdimisht punon në modernizimin dhe rikonstruimin e rrjetit, ndërsa qëllimi i investimeve të tilla është përmirësimi i shërbimeve dhe funksionaliteti më i madh i sistemit. Në mes tjerash, pjesë e këtyre projekteve është ndërrimi i orëmatësve, përkatësisht vendosja e smart-orëmatësve në vende të disponueshme, të cilat në vazhdimësi dhe në kohë reale do të jenë të qasshme për qytetarët, por edhe për ekipet e Elektrodistribuimit. Deri më tani kemi instaluar rreth 200.000 smart-orëmatës. Tek të gjithë këta konsumatorë, tarifa e lirë do të implementohet më datë 01.12.2023 saktë në ora 00:00. Orëmatësit tjerë do të përshtaten gjatë leximit të rregullt që do të bëhet gjatë muajit dhjetor. Që çdo konsumator të ketë tarifë të lirë, është e rëndësishme që orëmatësi të jetë i qasshëm, e jo i mbyllur në shtëpi të konsumatorit apo në ndonjë vend tjetër jo të disponueshëm. Prandaj dua të theksoj që investimet tona gjatë periudhës së kaluar janë në interes të konsumatorëve. Jemi dëshmitarë se ekipet tona gjatë realizimit të këtyre projekteve në rajone të caktuara hasën në rezistencë, por arritëm që konsumatorëve të ua shpjegojmë se kjo është në interesin e tyre. Kështu për shembull, në Haraçinë tashmë të gjithë orëmatësit janë të qasshëm dhe konsumatorët e këtij fshati në kohë do ta kenë të përshtatur tarifën e lirë ditore. Komuna e Likovës do të jetë komuna e parë në shtet e cila i ka të gjithë orëmatësit smart. Humbjet janë veçmë në nivel të humbjeve teknike, përkatësisht rreth 10%.

Vetëm para disa muajsh hasët në rezistencë të made në Sllupçan. Çfarë u morët vesh atje? 

Me banorët e Sllupçanit mbajtëm disa takime të përbashkëta ku kemi hapur të gjitha çështjet. Prezantuam projektin për modernizimin dhe rikonstruimin e rrjetit dhe shpjeguam se cilat aktivitete janë nën kompetencën tonë. Projekti për modernizimin e rrjetit i cili është duke u realizuar, ashtu siç kishim parashikuar, do të zbatohet plotësisht. Njëkohësisht, theksuam se pikat kritike në fshat, ku përsëriten defektet, do të kenë përparësi gjatë realizimit të projektit për modernizimin e rrjetit të distribuimit, me çka do të rritet cilësia e shërbimit dhe do të reduktohen defektet. Pas shqyrtimit të detajuar të të gjitha çështjeve të hapura, të pranishmit ranë dakord që matja dhe faturimi i energjisë elektrike do të bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara me ligj për konsumatorët. Gjithashtu, do të zbatohet projekt për instalimin e orëmatësve inteligjentë, që është trend në të gjithë Bashkimin Evropian dhe të njejtit do të vendosen në vende të disponueshme. Në këtë mënyrë banorët do të kenë pasqyrim shtesë në faturat e energjisë elektrike në baza mujore.

A do t’u  shlyhen borxhet?

Borxhi ekzistues do të rregullohet në mënyrë ligjore të cilën EVN ua ofron të gjithë konsumatorëve të saj që kanë borxh të papaguar. Kompania jonë mundëson pagesën e borxhit me këste, me çka konsumatorët arrijnë të pastrojnë borxhet e vjetra dhe faturat aktuale në të njëjtën kohë. Banorëve që kanë nevojë të lidhin kontratë për pagesën e borxhit me këste, do të ju mundësohet nga EVN që ta bëjnë këtë, por si kusht faturat e reja duhet të paguhen rregullisht.

A do të pranohet kërkesa e banorëve të Sllupçanit që fatura më e lartë pavarësisht konsumit të jetë 3000 denarë?

EVN nuk e përcakton çmimin e energjisë elektrike. Çmimet e konsumit të energjisë elektrike, të cilat janë të përcaktuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët pa përjashtim, do të vazhdojnë të vlejnë njejtë për të gjithë.

A është e vërtetë se do të paguajnë nga 6000 denarë për lidhje të re në rrjet?

Edhe kjo kosto është e rregulluar dhe e përcaktuar rreptësisht nga organ i pavarur, pra çmimi nuk përcaktohet nga EVN. Çmimi për lidhje të re standarde është 22,745 denarë dhe vlen për të gjithë konsumatorët në vend, pa përjashtim.


Si është bashkëpunimi me institucionet në terren?


Kur ndodhi defekti në Sllupçan, për fat të keq pa energji elektrike mbetën edhe konsumatorët dhe fshatrat fqinje që paguajnë rregullisht. Përveç amvisërive, ai rajon ka edhe një numër të madh të konsumatorëve industrial. Siç pritej, të gjithë u angazhuan për tejkalimin e shpejtë të situatës, duke përdorur të gjitha mënyrat e mundshme, me çka u përfshinë një numër i madh i institucioneve, përfaqësuesve politikë, sektori joqeveritar etj. Në gjetjen e zgjidhjesu përfshinë edhe qeveria, autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e partive politike. Ne menjëherë kontaktuam me institucionet përkatëse, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Minstrinë e Ekonomisë, komunën e Likovës, me të cilët gjithmonë jemi në komunikim të drejtpërdrejtë dhe që gjithmonë angazhohen që të gjendet zgjidhje dhe të mundësohet punë e pandërprerë në përputhje me ligjin. EVN gjithmonë përpiqet që të mundësojë furnizim të sigurt dhe të besueshëm me energji elektrike. Nuk ka ndodhur kurrë që ne të injorojmë apo të lëmë të pariparuar qëllimisht ndonjëdefekt. Përkundrazi, të gjitha resurset dhe masat në dispozicion përdoren menjëherë dhe në këtë drejtim edhe do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me institucionet.

Sa janë humbjet në fshat? Sa është pagesa?


Situata nuk ishte e volitshme dhe prandaj përmes bashkëpunimit intensiv me të gjitha institucionet kompetente punojmë në zgjidhjen e situatave në terren. Humbjet para implementimit të projektit ishin 80% ndërsa pagesa 20%.


Si arritët në një situatë të keni humbje kaq të mëdha në këtë fshat? Sa kohë nuk keni punuar në Sllupçan?

Nëse analizojmë situatën, do të shohim se disa nga problemet datojnë disa dekada më parë. Ndoshta të gjithë presin të gjejnë fajtorin, por kjo është e pamundur. Arsyet janë të shumta, kryesisht socio-ekonomike, por edhe politike. Edhe nëse i gjejmë fajtorët, a do ta zgjidhë kjo vetë problemin tonë. Sigurisht që jo. E rëndësishme është se tani gjërat kanë ndryshuar dhe ka një konsensus social për këtë temë. Tashmë ndalimi i vjedhjes së energjisë elektrike dhe pagesa e rregullt e faturave të energjisë elektrike ka mbështetje më të gjerë nga publiku dhe qytetarët, nga politikanët dhe nga sektori joqeveritar. Në vend që të shikojmëprapa, më mirë është të fokusohemi te problemi dhe së bashku t’i tejkalojmë sfidat dhe të krijojmë sistem funksional ku të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë dhe sipas ligjit. Ne, deri më tani kemi punuar në tejkalimin e këtij problemi. Për ilustrim, vitin e kaluar kemi pasur 613 kallëzime për shfrytëzim të paautorizuar të energjisë elektrike, të cilat janë duke u proceduar nga prokuroria dhe gjykatat. Për shembull, procesi i trajtimit të kallëzimeve për shfrytëzim të paautorizuar, shpejtësia e zgjidhjes dhe dënimi nga gjykatat mund të përmirësohet ndjeshëm. Ky është një segment kyç për zgjidhje të suksesshme të situatës me humbjet e energjisëelektrike.


A është e vërtetë që projekte të tilla realizohen vetëm në fshatrat shqiptare?


Është e padrejtë që vjedhja e rrymës dhe mospagesa e faturave të ketë konotacion etnik. Kjo është krejtësisht e gabuar. Në thelb arsyet janë të natyrës social-ekonomike, por ndonjëherë edhe për shkak të premtimeve të rrejshme politike në të kaluarën. Ja një shembull: Tetova, Kërçova dhe Struga kanë humbje më të ulëta se Prilepi. Tetova është një nga rajonet me humbje më të ulëta krahasuar me qytetet e tjera të mëdha. Komuna e Likovës gjithashtu është një nga komunat me humbje më të ulëta dhe është komuna e parë në Maqedoni e cila pothuajse në tërë vendin ka të instaluar orëmatës inteligjent. Gjatë dhjetë viteve të fundit, projekte të tilla janë realizuar në të gjitha vendbanimet e kësaj komune, përveç në Sllupçan. Rajone që kanë një situatë më të vështirë socio-ekonomike ose individë që pengojnë ekipet tona ka në shumë vende të shtetit, pavarësisht se për cilin qytet apo rajon bëhet fjalë. Projekte të ngjashme për modernizimin e rrjetit që tashmë janë realizuar, janë në zhvillim e sipër ose janë duke u planifikuar ka edhe në Prilep, Manastir, Strumicë, Shtip, Koçan etj. Edhe aty ka individë me të cilët përballemi me mbështetjen e institucioneve. Së shpejti do të dalim me informacione më të detajuara për projektea të përfundurasë fundmi, të cilat gjithashtu ishin aktual në opinion, por ja po e shfrytëzoj rastin të njoftoj se humbjet e energjisë elektrike në Haraçinë dhe Gërçec në muajin qershor ishin 10%, që është në nivel të humbjeve teknike në rrjet. Të gjitha aktivitetet e Elektrodistribuimit kryhen pa pengesë. Nëse paraqitet sfidë e re nga individë të caktuar, institucionet reagojnë menjëherë. Jam i sigurt se kjo do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme edhe në të ardhmen. Pas një kohe të gjatë, edhe komuna e Haraçinës po shlyen rregullisht faturat për pompat e ujit, ndriçimit rrugor etj. Ky është rezultat i të hyrave më të mëdha të komunës në bazë të ndriçimit rrugor. Këto projekte kanë kontekst më të gjerë publik dhe përfitime që i ndjejnë të gjithë qytetarët.


Pse është lejuar të krijohen shuma milionëshe dhe aq gjatë është toleruar mospagesa? Përse nuk i keni shkyçur nga rrjeti edhe këta konsumatorë sikur të tjerët në vendet tjera? 


Ky është një proces që kërkon kohë dhe resurse. Me projekte të tilla kemi filluar që nga viti 2010. Deri më tani janë përfshirë 100.000 konsumatorë. Ne kemi instaluar orëmatës inteligjentë për 200.000 konsumatorë. Projekti në Sllupçan filloi në muajin gusht dhe do të realizohet gjatë 9 muajve të ardhshëm. Modernizimi i rrjetit do të sigurojë matje dhe pagesë të saktë të energjisë elektrike. Sipas planeve tona, projekte të tilla do të realizohen me dinamikë të përshtatshme edhe në vende të tjera në mbarë shtetin, gjë që do të rrisë më tej cilësinë e shërbimit. Së shpejti do të fillojmë një projekt të tillë edhe në Shkup, në zonën qendrore të qytetit dhe me të, ndër të tjera, do të përfshihet edhe lokaliteti Serava, si dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Më tej do të vazhdojmë edhe me rajone të tjera dhe vendbanime në komunën e Sarajit, si Krushopek, Kondovë, por edhe me projekte në komunën e Aerodromit si Draçevë, Lisiçe e shumë të tjera.

Kush i paguan humbjet, pra vjedhjen e energjisë elektrike?

Përgjigja për këtë pyetje është se dikush me siguri do t’i paguajë, ndryshe është e pamundur. Prandaj, është edhe më e rëndësishme që këto pyetje të hapura të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Ja, do të përpiqem ta shpjegoj këtë përmes një produkti dhe biznesi shumë më të njohur për qytetarët. Le të supozojmë se kemi një shitore lokale. Për të qenë konkurrues, pronari duhet të ketë çmime dhe marzhe që janë të krahasueshme me shitoret tjera, përndryshe askush nuk do t’i blinte produktet e tij. Nëse disa nga qytetarët blejnë dhe paguajnë, disa marrin mallra me hua, peshoja peshon më pak dhe një pjesë e mallit vidhet, marzha nuk do të mund të mbulojë shpenzimet e pronarit për rrogat, për blerjen e mallrave të reja, kostot e ujit dhe energjisë elektrike etj. Pronari ka tre opsione. E para është të përdorë paratë e tij, nëse i ka, për të mbajtur shitorennë punë, por kjo është e paqëndrueshme në planin afatgjatë, do të falimentojë në një moment dhe shitorja do të pushojë së ekzistuari. Gjithashtu, nuk do të ketë fonde të mjaftueshme për të investuar në biznes, për të zgjeruar tregun, për të sjellë produkte të reja, për ta bërë atë edhe më të aksesueshëm dhe të pajisur mirë për klientët. E dyta është rritja e marzheve, por në këtë rast nuk do të jetë konkurruese dhe do të duhet të mbyllë sërish shitoren. Dhe e treta është vendosja e rendit dhe të gjithë të paguajnë rregullisht për produktet dhe të mos ketë vjedhje. Me energjinë elektrike është edhe më e ndërlikuar, sepse kjo shitore nuk duhet të mbyllet dhe të falimentojë. Energjia elektrike është shtylla kurrizore e gjithë jetës shoqërore. Pra, ka dy mundësi, të rriten çmimet, gjë që nuk është e drejtë që qytetarë të caktuar të paguajnë për mospagesat dhe vjedhjet e qytetarëve të tjerë, ose që të gjithë të paguajnë rregullisht energjinë elektrike të konsumuar realisht. Këtu nuk po flasim për kategoritë e rrezikuara sociale. Kuptohet që grupet vulnerabël të konsumatorëve duhet të mbështeten me masa të caktuara nga Qeveria në mënyrë që të mund të paguajnë faturat e tyre. Në këtë moment ekziston subvencionim prej 1000 denarë për përfituesit e ndihmës sociale dhe pensionistët në grupin e parë të pensioneve. Është mirë të mendohet për zgjerimin e mbulimit dhe rritjen e subvencioneve. Të gjithë kemi qenë dhe jemi dëshmitarë të krizës energjetike me të cilën po përballet Evropa. Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm dhe disponueshmëria e tyre nuk është gjithmonë e sigurt. Ky është një motiv për të vlerësuar më shumë, për të kursyer, mbajtur dhe përmirësuar atë që kemi. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i përbashkët ndërmjet kompanisë dhe të gjitha institucioneve që ofrojnë mbështetje të konsiderueshme në këtë proces është vendimtar.

Lajmet e fundit…

  • Në emër të popullit, BURGIM I PËRJETSHËM për Naim Murselin!
  • Reagon përsëri Bashkimi Demokratik për Integrim kundër politikave të qeverisë
  • FENOMEN I ÇUDITSHËM NË SARAJ: NDALIMI I PAARSYESHËM I NDRIÇIMIT PUBLIK TË NATËS!
  • Kryeminstri spanjoll Pedro Sanchez kërkon ndërprerjen e Marrëveshjes së Asocimit me Izraelin
  • BDI kërkon dorëheqjen e Izet Mexhitit: Të mos e mbajë peng popullin shqiptar!

IMPRESUM

Ky portal shërben për informimin e opinionit në kohë dhe me informata të sakta, portal i cili mirëmbahet nga një grup gazetarësh

KONTAKT

E-mail: info@infinit.mk

© Të gjitha të drejtat e rezervuara