Athinë, 8 shtator – Stuhia Daniel që për 3 ditë me radhë goditi rajonin e Thesalisë në Greqinë qëndrore, ka lënë të paktën gjashtë viktima, shkatërrime të konsiderueshme dhe zona të tëra të izoluara si lagjja periferike e Shën Thomait në periferinë perëndimore të Larisës.
Stuhia tashmë është tërhequr, por numri i viktimave mund të thellohet. Autoritetet thonë se shumë persona rezultojnë të zhdukur, por nuk ka ende një numër të saktë të tyre. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Punonjësit e ekipeve të emergjencës janë në luftë me kohën për të larguar banorët e shumtë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre mes ujërave. Në fshatrat përgjatë lumit Pinios, ndërtesat veçanërisht ato një-katëshe janë nën ujë.
Guvernatori i Thesalisë, Kostas Agorastos, tha se prej të martës, të paktën 1800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Përllogaritet një sipërfaqe e jashtëzakonshme deri në 750 mijë hektarë tokë e përmbytur. Ndërsa dëmet materiale mund të arrijnë në më shumë se 2 miliardë Euro.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, bën të ditur se nëpërmjet Ambasadës në Athinë dhe Konsullit të Përgjithshëm në Selanik, është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët tanë që u gjendën në zonat e prekura nga moti i keq që ka kapluar Greqinë.
“Bëhet fjalë për 15 qytetarë tanë, të gjithë janë në vend të sigurt dhe në gjendje të mirë. Diplomatët tanë janë në kontakt edhe me përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale ku informohen për lokacionet ku ndodhen qytetarët tanë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
