Ukraina i ka paraqitur një propozim zyrtar Turqisë për të hapur një “korridor të grurit” në Detin e Zi pa pjesëmarrjen e Rusisë, tha të enjten ambasadori ukrainas në Turqi, Vasyl Bodnar.
Bodnar vuri në dukje në një intervistë me mediat ukrainase se anijet e ngarkesave tashmë po lundrojnë nëpër ujërat territoriale të Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë pa kufizime, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
Katër anije kanë kaluar nëpër një korridor të përkohshëm që kur Forcat Detare të Ukrainës njoftuan rrugë të reja të përkohshme për anijet civile që lëvizin drejt ose nga Deti i Zi më 10 gusht. Kjo erdhi pasi marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara u prish më 16 korrik.
Bodnar tha se Ukraina pret që Ankaraja dhe Kievi të komunikojnë për këtë çështje në ditët në vijim ose “brenda kornizës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në mënyrë që të kuptojnë se si të ecin përpara”.
Në fillim të kësaj jave, presidenti rus Vladimir Putin i tha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se Rusia do të jetë e gatshme të shqyrtojë ringjalljen e marrëveshjes së grurit “sapo të zbatohen plotësisht të gjitha marrëveshjet për heqjen e kufizimeve në eksportin e produkteve bujqësore ruse”.
Bodnar e quajti heqjen e kufizimeve kundër Rusisë “rrugë absolutisht të gabuar” dhe tha se komuniteti ndërkombëtar “nuk duhet të dorëzohet para shantazhit rus”.
/klankosova
