Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca ushtarake e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ai po ashtu tha se e mirëpret takimin e radhës Kurti-Vuçiq në Bruksel I cili, siç u shpreh, është mundësi për Kosovën të demonstrojë se është palë e konstruktive në dialog.
“E mirëpres njoftimin për një tjetër takim të nivelit të lartë dialogues javën e ardhshme. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo kërkon durim, këmbëngulje dhe kompromis. Është gjithashtu një mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është akter i përgjegjshëm që punon në mënyrë konstruktive”– deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Presidentja Osmani tha se shpreson për qasje më të balancuar të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke vlerwsuar se ka pasur momente kur BE nuk ka treguar balanc.
“Kosova ka qenë gjithmonë pala konstruktive. Fatkeqësisht, e vetmja palë konstruktive në këtë proces. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë është shumë e gjatë. Nuk dua thellohem aty, por më duhet të them që shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit të BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur nuk e kemi parë këtë balanc dhe do të doja t’i bëja thirrje gjithë partnerëve, aleatëve tanë që të sigurojnë këtë lloj balanc-peshe, që të sigurojnë parim të barazisë së plot dhe pozicionimit të njëjtë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme dhe rezultate që me të vërtetë kontribuojnë për paqe dhe siguri dhe stabilitet në rajon“- tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Stoltenberg bëri thirrje që palët të shmangin veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën në veri të Kosovës.
Ai është pyetur edhe për zbarkimin e forcave speciale në veri të Kosovës.
Stoltenberg u përgjigj se çdo zbarkim i ri i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it
“Nuk është ky kriter i ri, është baza e misionit për një kohë të gjatë tashmë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin nga KFOR-i dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt midis autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it në çfarë do lloj zbarkimi të forcave që mund të ndikojë pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, tha ai.
Osmani tha se marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm tek Forca e Sigurisë së.
“Marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm tek Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës për më shumë se dy dekada. Dje shënuam përvjetorin e krijimit të Policisë së Kosovës, e që është forca më profesionale dhe shumë etnike në të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.
Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit./RTV21
