Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në prag të përkujtimit të nesërm të një prej datave më të rëndësishme të shtetit maqedonas, 8 shtatorit, mbajti fjalim në përkujtimoren e 32 vjetorit të vendimit historik të referendumit për pavarësinë e Maqedonisë. Në festë ishin të pranishëm përfaqësues nga Qeveria, deputetë, trupi diplomatik, si dhe kryesuesi i parë i Kuvendit, Nikolla Stojanovski.
“Po rrumbullakojmë 32 vjet nga vendimi historik për referendum në të cilin qytetarët shprehën lirshëm vullnetin e tyre dhe kolegët tanë deputetë e hodhën në letër dhe në jetë atë vullnet për një shtet të pavarur sovran me subjektivitet juridik të njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar të barabartë të bashkësisë së kombeve. Synimet strategjike ishin dhe janë prioritetet rreth të cilave bashkohemi si shtet, si politikanë dhe si qytetarë. Gjithmonë me besimin se anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike NATO dhe në Bashkimin Europian, është garancia kryesore për sigurimin e vazhdimësisë”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit./tv21
