Me 48 vota pro, 36 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i votoi propozim ndryshimet e nenit 353 nga Kodi Penal, ku parashihet ulje e dënimeve për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga ana e funksionerëve. Në opinion është ngritur pyetja nëse këto ndryshime po bëhen me qëllim kthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ish deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, në SummerClick tha se është e habitur pse kaq shpejtë u miratuan këto ndryshime ndërsa për Gruevskin thotë se me siguri ka ndonjë lidhje.
“Unë sinqerisht nuk prita aq zgjidhje të shpejtë në Kuvend sepse për çështje të tilla ka debate shkencore. Nëse vetëm se përmendet ish kryeministri Nikolla Gruevski, të gjithë thonë se pas këtyre ndryshimeve të Kodit Penal dhe rrethanave lehtësuese që do t’i kishte ai do të kthehet. Por ne nuk hetuam se si ai iku. Sipas meje këto janë debate të panevojshme por është fakt se ka ndonjë lidhje”, tha Frosina Remenski – ish deputete e LSDM-së.
Se këto ndryshime të Kodit Penal kanë prapavijë politike i bindur është edhe profesori universitar Mersel Bilalli.
“Kur janë në pyetje interesat e ngushta vetanake, edhe pushteti edhe opozita bëhen bashkë. Edhe djalli citon librat e Zotit kur ka ndonjë interes. E dukshme është se pas perdes koordinohen interesat mes pushtetit dhe opozitës, duke përfshirë edhe lehtësime për Gruevskin dhe vetveten”, tha Mersel Bilalli, analist.
Nga komisioni Antikorrupsion brengosen për mënyrën e sjelljes së ligjit. Ata thonë se me këtë nuk kontribohet në përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
“Konsiderojmë se mënyra e sjelljes së ndryshimeve, nuk mundësuan debat publik, nuk mundësuan analizë të pasojave, dhe e gjithë kjo për ne krijon dyshim dhe rrezik të lartë për pazare politike dhe tregëtim me ndikime”, pohoi Biljana Ivanovska – Kryetare e KSHPK .
Kanë reaguar edhe nga grupi “Bluprint”, që përbëhet nga shoqata të profilizuara në çështjet e gjyqësorit, nga ku thonë se në propozim tekst nuk është cekur aspak se pse po ulen dënimet.
Përndryshe, portali “sdk.mk”, duke cituar burime anonime nga pushteti, shkruan se këto ndryshime eksprese të Kodit Penal janë me kërkesë të ish-kryeministrit Gruevski, ndërsa ky i fundit do t’ia siguronte pushtetit deputetët për të arritur 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Ditë më parë, kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk tregoi saktë se sa deputetë mungojnë për të siguruar numrin 80 por ishte i bindur se në fund, asnjë deputetë nuk do të mungojë për ndryshimet kushtetuese./tv21
