Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar të hënën me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kosova është pajtuar që menjëherë të zvogëlojë praninë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri, siç thuhet, për 25%.
Në një komunikatë për media të Qeverisë thuhet se fokusi i këtij takimi ishte krijimi i parakushteve për përforcim të fokusit në zbatimin e plotë dhe të pakusht të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit të datës 18 mars.
Zvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale është pika e parë e dakorduar sipas Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë që është postuar në Facebook.
Fillimisht Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media për pikat e dakorduara ka shkruar se dakordimi “përfshin një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.
“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm në masën e 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhej në komunikatë.
Ndërkohë që në postimin në Facebook Qeveria e ka riformuluar këtë pikë, ku thuhet se “kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.
“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në postimin në Facebook.
Pika tjetër e dakorduar është ajo që “Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.
Pika e tretë është ajo për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri.
“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës. Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.
Në pikën e katërt të listuar nga Qeveria, thuhet se BE-ja do ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit theksohet se do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.
Veprimet e sipërpërmendura thuhet se do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.