Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat komerciale në Kosovë është rritur mbi 6 mijë deri në qershor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Afro 87 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi në gjashtëmujorin e parë. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin qershor është mbi 5 miliardë euro, për çka nga njohësit e ekonomisë vlerësohet si shqetësuese. Derisa, norma mesatare e interesit ka shënuar një rënie të lehtë.
Përkundër kësaj, qytetarët ankohen për kamatat e larta, për çka thonë se po kanë vështirësi në kthimin e mjeteve. Ata potencojnë se për shkak të pagave të ulëta, po detyrohen të marrin kredi.
Qytetari Muhamet Godeni thotë se për marrjen e 2 mijë eurove kredi, për shkak të kamatës së lartë, ka kthyer rreth 500 euro më shumë. Ai tregon se si rrjedhojë e çmimeve të larta në përgjithësi, ka hasur në vështirësi gjatë pagesave të kësteve.
“Janë shumë të larta kamatat, më të larta më nuk di. Në Evropë siç i marrë vesh janë më lirë se tek ne kamatat…Po ndikon edhe rroga, por ndikon edhe kamata e madhe, nuk ia vlen një kamatë. Kur i kam pas marrë 2 mijë euro kredi, 500 euro gati t’i ndalin kamatë. Nuk ia vlen, si me qenë haraq…A po keni vështirësi në kthimin e kredisë? Po si nuk është vështirë, dalin problemet, jeta e shtrenjtë dhe kjo ndikon…Qeveria mund të ndikojë tek bankat që mos t’i lejojë kamatën e madhe”, thotë Godeni.
