Irani ka kërkuar ndihmë nga Turqia në kërkimin e helikopterit të rrëzuar të presidentit iranian Ebrahim Raisi, tha të dielën ministria turke e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave.
Irani kërkoi një helikopter kërkimi dhe shpëtimi për shikim gjatë natës, tha ministria. Turqia po dërgon gjithashtu gjashtë automjete dhe 32 persona nga personeli alpinist të kërkim-shpëtimit në Iran, sipas ministrisë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shkroi në rrjetin X, se qeveria e tij “po e ndjek incidentin nga afër, në kontakt dhe koordinim të plotë me autoritetet iraniane”.
Zyrtarët iranianë kanë kontaktuar dy persona në të njëjtin helikopter me presidentin Ebrahim Raisi që u rrëzua sot, tha zëvendëspresidenti iranian për çështje ekzekutive Mohsen Mansouri për agjencinë e gjysmë-zyrtare të lajmeve iraniane FARS, transmeton CNN.
Për shkak se zyrtarët kontaktuan “disa herë” me një pasagjer dhe një anëtar të ekuipazhit të fluturimit menjëherë pas rrëzimit, “duket se incidenti nuk ishte i rëndë,” tha Mansouri.Tre helikopterë po fluturonin në të njëjtën rrugë përpara se dy të humbnin kontaktin me helikopterin e Raisit, tha Mansouri.
“Ministria e Komunikacioneve dhe agjencitë e tjera të sigurisë kanë identifikuar zonën e incidentit brenda një rrezeje prej 2 kilometrash. Për shkak të kushteve të motit, qasja në zonë është sfiduese,” tha ai.