Robert Bauer luan në Arabinë Saudite te skuadra Al-Tai.
Ai së fundmi krahas Ligës, e ka ndërruar edhe fenë, duke u konvertuar në atë islame.
Futbollisti gjerman, Robert Bauer me anë të një ‘story’ në rrjetin social “Instagram” ku shihej duke kryer ritet fetare myslimane së bashku me babain e gruas dhe djalin e tij, ka njoftuar se është konvertuar në fenë Islame.
28-vjeçari po ashtu njoftoi se ky konvertim erdhi falë gruas dhe familjes së saj.
“Për të gjithë njerëzit që më dërgojnë mesazhe sot. Unë erdha në Islam nëpërmjet gruas sime dhe familjes së saj. Kanë kaluar shumë vite dhe jam mirënjohës për të gjithë ju që më ndihmoni dhe më inkurajoni në udhëtimin tim”, shkroi ai, përcjell Lajmi.net.
Bauer përfaqësoi Gjermaninë në Kupën e Botës FIFA U-20 në Zelandën e Re në 2015 dhe ishte pjesë e skuadrës për Lojërat Olimpike Verore 2016, ku Gjermania fitoi medaljen e argjendtë.