Shtëpia ku ajo u gjet e vdekur më 5 gusht të vitit 1961 nuk është thjesht një shtëpi e mrekullueshme spanjolle 270 metra katrorë me një pishinë në pjesën e pasme.
Është një vend i kujtesës kolektive përmes fotove madhështore të bëra nga Allan Grant dy ditë para se Diva të ndërronte jetë.
Por edhe përmes transmetimeve të lajmeve të kohës me skenën e një bareli të mbuluar nga një çarçaf i bardhë që dilte nga vila.
Imazhet e fundit të Marilyn kanë si sfond të njëjtën dhomë gjumi ku ajo u gjet e vdekur.
Dhe tregojnë një grua të thjeshtë, të bukur, me sy të trishtuar.
Çka shpjegon pse qyteti i Los Angeles-it – i cili kishte dhënë lejen për ta rrafshuar ndërtesën – duhej të bllokonte mbërritjen e buldozerëve.
“Është një sulm ndaj historisë dhe kulturës së këtij qyteti”, ka thënë Adrian Scott Fine, nga LA Conservancy, një shoqatë që lufton për të ruajtur perlat arkitekturore dhe vendet historike të qytetit.
Ato shpesh datojnë në dekadat e para të shekullit të XX-të, të shitura në një treg të pasurive të paluajtshme që nuk njeh krizë.
“Po mbledhim firma dhe po inkurajojmë qytetarët që të thërrasin këshilltarin e urbanistikës. Shpresa e vetme është që ai të heqë lejen e shembjes dhe ta shpallë shtëpinë një vend me interes historiko-kulturor”.
Shtëpia e fundit e Marilyn u shit një muaj më parë, për 8.4 milionë dollarë.
Përpara derës së hyrjes ka ende pllakat mbi të cilat Marilyn kishte shkruar frazën e tmerrshme “Cursum perficio” (Udhëtimi im përfundon këtu).
Një ogur gjigant dhe ogurzi: në dhomën e gjumit të vilës, diva e divave u gjet e pajetë, e vrarë nga mbidoza.
Ishte vetëm 36 vjeçe.
Vila, e ndërtuar në vitin 1929, qëndron në fund të një rruge të qetë pa rrugëdalje në Brentwood, një lagje luksoze ku vlera e tokës së ndërtimit tani po rritet në qiell.
Pikërisht për këtë, pronari kërkon të prishë shtëpinë, e cila është mjaft modeste për parametrat aktualë dhe për zonën në të cilën ndodhet, dhe ta bëjë më fitimprurëse.