Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, tha për Albanian Post se ish-oficeri i UÇK-së, Dritan Goxhaj, u arrestua pasi dyshohet se ka kryer veprën penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
“Mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu Griep bëri të ditur se më vonë “do të jepet më shumë informacion” lidhur me prangosjen e Goxhajt në Tiranë.
Ndryshe, efektivët e Policisë së Shtetit kanë bërë arrestimin dhe shoqërimin Goxhajt, të hënën e 31 korrikut për qëllim ekstradimi me kërkesë të Gjykatës Speciale, duke cituar njoftimin e autoriteteve shqiptare.
Sipas Policisë, autoritetet kanë vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së Goxhajt, si dhe caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’, me qëllim ekstradimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri./koha