Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar sot kundër diskriminimit nga Serbia. Protesta “Për Identitet dhe Dinjitet” u mbajt në Bujanoc, ku morën pjesë numër i madh i qytetarëve.
“Dija nuk nostrifikohet”, “Stop pasivizimit selektiv” e “Kthema adresën” kanë qenë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkuan të drejtat e tyre duke refuzuar diskriminimin e vazhdueshëm.
Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) thotë se protesta ka qenë e qetë, pavarësisht provokimeve nga njerëz të ndryshëm.
Në intervistën për KosovaPress, Mustafi thekson se protesta e sotme është revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve legjitim të Luginës së Preshevës, njohjen e diplomave nga Kosova menjëherë, ndërprerjen e pasivizimit të adresave dhe kthimit të adresave të gjithë atyre që janë pasivizuar dhe një mori padrejtësish që janë duke i përjetuar dhe që po përballen banorët e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.
Mesazhi i shqiptarëve të luginës, siç shton Mustafi ka qenë i qartë dhe se të njëjtit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime.
