Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis mori pjesë në samitin e NATO-s që u mbajt në Uashington, ndërsa së fundmi ka dhënë edhe një konferencë për shtyp.
Në konferencën për shtyp që dha, pas punimeve të samitit të NATO-s në Uashington, kryeministri grek është pyetur nga gazetarët për homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjen së Prespës për përdorimin e emrit kushtetues brenda vendit të tij .
“Nuk do të zbulojmë armët tona që i kemi në dispozicion për momentin nëse Mickoski vazhdon të quajë thjesht Maqedoni vendin e tij brenda kufijve. Kam informuar kolegët e mi për faktin se kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka zgjedhur të mos zbatojë një nen vendimtar të Marrëveshjes në lidhje me emrin e unifikuar të shtetit fqinj brenda dhe jashtë vendit, dhe ta quajë thjesht “Republika e Maqedonisë” brenda kufijve, diçka që shprehimisht është e ndaluar nga Marrëveshja”.
“Natyrisht, dua të theksoj se në sallë dhe në prani të të gjithë drejtuesve të NATO-s, ai nuk e ndoqi këtë taktikë dhe përdori emrin kushtetues të vendit të tij”, ka deklaruar Mitsotakis.
“Përtej kësaj, besoj se në një mënyrë apo në një tjetër udhëheqja e vendit fqinj do të kuptojë se kjo taktikë është krejtësisht kundërproduktive. Marrëveshjet duhet të respektohen. Është diçka që e theksova dje në samititn e NATO-s dhe që mendoj se e kuptojnë edhe të gjithë aleatët tanë.
Ne duam që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapa drejt një qasjeje evropiane. Megjithatë, kjo presupozon respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e marrëveshjeve që vendi ka nënshkruar. Besoj se në një mënyrë apo tjetër kjo është diçka që udhëheqja e Shkupit do ta kuptojë.
