Jeta e kryeministrit sllovak Robert Fico nuk është më në rrezik, pas atentatit të rreth një jave më parë. Kjo u bë e ditur sot nga zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Robert Kalinak, aleati më i ngushtë politik i Ficos.
Nuk është më në rrezik për jetën, por gjendja e tij vazhdon të jetë serioze dhe duhet të qëndrojë në kujdes intensiv.
Personi i akuzuar se tentoi vrasjen e kryeministrit, dje doli para gjykatës. I identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeç, ai e qëlloi me armë Ficon, pas një takimi qeveritar.
Cintula qëlloi pesë herë me armë kundër Ficos, duke i shkaktuar plagë të rënda në bark, në qytezën Handlova. Fico u dërgua në spital me helikopter dhe iu nënshtrua një operacioni për pesë orë. Të premten pati një tjetër ndërhyrje kirurgjikale, 120 minutëshe.
Fico është në pushtet që prej kohër kur partia e tij popullsite e qendrës, Smer fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit të kaluar.
Atentati i 15 majit rrit shqetësimet në Europë para zgjedhjeve të 6-9 qershorit. Në 27 vende të BE-së, peizazhi politik po polarizohet gjithnjë e më shumë nga retorika e ashpër mes partive kryesore dhe populistëve të ekstremit të djathtë. Kryeministri belg Alexander De Croo, vendi të cilit kontrollon presidencën e Unionit, u shpreh:
Eshtë tronditëse që dikush mund të bëhet viktimë e ideve të tij politike. Tre javë përpara zgjedhjeve, kjo është jashtëzakonisht alarmante. Le të bëjmë një fushatë intensive me fjalë, por jo përtej tyre.
Duke nënvizuar seriozitetin e çështjes, dje De Croo paraqiti një ankesë në polici kundër një televizioni lidhur me një veprim, që megjithëse dukej se ishte shaka, bënte thirrje për “pushkatim” të kryeministrit.
Por, të tilla ngjarje, nuk janë shaka. Javën e kaluar, një politikane e njohur gjermane u sulmua dhe pësoi lëndime në kokë e qafë. Një javë më parë, një kandidat nga partia e kancelarit Olaf Scholz u dhunua gjatë fushatës për zgjedhjet e muajit të ardhshëm për Parlamentin Europian dhe iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje mjekësore.
Politika e kompromisit hodhi themelet për shoqërinë e famshme të mirëqenies europiane, por vitet e fundit, debatet politike agresive kanë qenë në rritje.
Ka pasur dialog dhe procesi i ngadalshëm politik prodhonte zgjidhje. Por, tani, shpesh kjo nuk funksionon më, tha profesor Hendrik Vos nga Universiteti i Gentit.
Sllovakia është një rast i tillë. Mjeshtëria e kryeministrit Fico në përdorimin e politikës konfrontuese e ndihmoi atë të siguronte një mandat të tretë në detyrë. Fico bëri fushatë në një platformë pro-ruse, anti-amerikane, një politikë të jashtme të çliruar nga lidhjet me BE-në, një qëndrim më të ashpër kundrejt emigracionit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ+.