Thuajse çdo ditë në repartin infektiv në Gostivar hospitalizohet nga një pacient si pasojë e helmimeve nga ushqimet të cilat nuk përgatiten dhe ruhen si duhet në këtë periudhë kur temperaturat janë shumë të larta. Infektologu Milan Gruevski thotë se vetëm gjatë muajit të kaluar si pasojë e helmimeve nga ushqimet janë paraqitur rreth 300 pacient me vjellje, diare e molisje.
“Ushqimi më i shpeshtë i cili është më problematik në këto temperatura të larta është ai nga prodhimet e qumështit, posaçërisht akulloret janë shkaktarë të shpeshtë, mishi, prodhimet e mishit, si dhe ato që nuk ruhen si duhet në frigorifer. Vezët po ashtu, prodhime që përmbajnë vezë si majonezi, prandaj dhe më shpesh tek të rinjtë kemi helmime kur konsumojnë sanduiç apo hamburger si dhe ushqime tjera të shpejta”, tha Milan Gruevski, Mjek Infektolog.
Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kenë kujdes gjatë ruajtjes së ushqimeve, si dhe të konsumojnë më shumë ujë në këtë periudhë.
“I bëjmë apel qytetarëve që të kenë kujdes me ushqimet të cilat i konsumojnë pasi temperaturat e larta janë bazë për përhapjen e baktereve. Në këtë drejtim i rekomandojmë qytetarëve të konsumojnë ushqim të freskët. Ushqimet që i gatuajmë të konsumohen menjëherë dhe jo të qëndrojnë gjatë. Edhe nëse ruhen, patjetër të jenë në frigorifer. Të mos lihen në ambient të hapur sepse mund të ndoten nga insektet. Po ashtu rekomandojmë sa më shumë ujë të pinë, sepse nga temperaturat e larta vjen deri te dehidrimi pasi humben lëngjet në trup”, u shpreh Berun Mustafa, Qendra për Shëndet Publik –
Sipas mjekëve, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit janë ata të cilët preken më së lehti nga helmimet e ushqimeve që nuk ruhen siç duhet gjatë periudhës kur temperaturat janë shumë të larta.
Konsumimi i ujit, pemëve dhe perimeve si dhe ushqimet që përgatiten në kushte shtëpie mbeten në listën e ushqimeve që më së paku sjellin komplikime shëndetësore apo helmime. /Alsat.mk