Së fundmi po diskutohet me intensitet të lartë një projektligj që ka të bëjë me amnistimin e të burgosurve, krejt kjo iniciativë apo nismë e iniciuar nga ministri i Drejtësisë nga radhët e ASH-së, Krenar Lloga. Përse pikërisht ky projektligj në këtë kohë? Mbase mund të ketë arsye të tjera të panjohura ende për publikun, por ajo që dihet është fakti që ministri i Drejtësisë realizoi një vizitë në burgun e Idrizovës dhe konstatoi që burgjet janë të mbipopulluara dhe një ligj i tillë sipas tij do të ndihmonte në shpopullimin e burgjeve. Por, çfarë në realitet përmban ky projektligj? Projektligji për amnisti parasheh lirimin nga burgu të personave të dënuar me deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitojnë ulje të dënimit prej 30 për qind. Flitet që shumica parlamentare do ta kalojë këtë ligj me procedurë të përshpejtuar me flamur evropian në Kuvend, por nga VMRO kanë kërcënuar se në rast të përdorimit të flamurit evropian ata do ta lëshojnë Kuvendin. Por, a ka të drejtë Kuvendi që për këtë ligj të përdor flamurin evropian? Përse ky ligj i pengon VMRO-së? Opozita shqiptare ende pa qëndrim të qartë, presin ta lexojnë propozim ligjin. Ky ligj po shkakton edhe ndarje në shumicën parlamentare, por nëse kalon kush do të përfitojë? shkruan Zhurnal.
Çfarë përmban projektligji për amnistimin e të burgosurve?
Projektligji parasheh lirimin nga burgu të personave të dënuar me deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitojnë ulje të dënimit prej 30 për qind. Amnistia nuk do të vlejë për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, përdhunim, keqpërdorime zgjedhore, për personat e dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, për veprimtari kundër shtetit, për shpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe për të dënuarit për dhunë në familje dhe mbi baza gjinore.
Kjo iniciativë erdhi pas vizitës së ministrit të Drejtësisë në burgjet e Maqedonisë së Veriut ku pa gjendjen e mjerueshme të të burgosurve që përpos që ishin në kushte mesjetare ato hapësira ishin edhe tejet të mbipopulluara.
Prandaj, ministri i Drejtësisë nga radhët e ASH-së, Krenar Lloga, inicioi këtë projektligj në Qeveri që pastaj të kalojë edhe në Kuvend. Por, meqë bëhet fjalë për një projektligj me të cilin nuk pajtohen të gjithë, këta të fundit kanë planifikuar që në Kuvend ta kalojnë me procedurë të përshpejtuar apo ndryshe siç njihet përdorimi i flamurit evropian.
A ka të drejtë Kuvendi për këtë projektligj të përdorë flamurin evropian?
Kjo formë e miratimit të ligjeve praktikohet kur është fjala për zgjidhjet ligjore që kanë të bëjnë me agjendën evropiane, apo harmonizimin e dispozitave ligjore me ato të Bashkimit Evropian.
“Flamuri Evropian është vënë në dispozicion, sepse shumë shtete në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, duhet të harmonizojnë mijëra e mijëra legjislacione dhe kjo merr një kohë shumë të madhe në parlament. Për këtë arsye kemi vënë sistemin e flamurit evropian. Kjo është kur harmonizoni legjislacionin tuaj me atë të BE-së. Ajo që nuk mund të bëni është të përdorni flamurin evropian, kur keni procedura që s’kanë të bëjnë me harmonizimin e ligjeve dhe e gjitha kjo vetëm sepse keni probleme procedurale në parlament”, ka deklaruar në maj të këtij viti David Gir, ambasador i BE-së.
Përse për VMRO-në është i papranueshëm ky ligj?
Në ndërkohë, opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka paralajmëruar braktisjen e Kuvendit nëse propozimi miratohet me procedurë të shpejtuar apo me “yll evropian” dhe nëse përmbajtja e tij parasheh zbutjen e dënimit për personat e gjykuar për vrasjen e pesë maqedonasve në vitin 2012, i njohur ndryshe si rasti “Monstra”, rast për të cilin ende ka dyshime se është i montuar, pasi për të njëjtin rast Zoran Zaev kishte paralajmëruar se ka materiale që dëshmojnë të vërtetën, por ato materiale nuk u publikuan asnjëherë.
“Ky ligj parasheh lirinë e kriminelëve andaj do të duhet të diskutohet në Kuvend sipas procedurës standarde. VMRO-DPMNE-ja do ta bllokojë. Dhe, nëse vendosin të keqpërdorin kompetencat e tyre, apo ta miratojnë me procedurë të shkurtuar deputetët e opozitës do të largohen nga Kuvendi”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kush po e përkrah këtë ligj?
Aleanca për Shqiptarët si partnere e koalicionit qeverisës me ministrin e Drejtësisë është propozuesi këtij porjektligji, dhe deri në këto momente ka gjetur përkrahje të parezervë nga BDI, ku kreu i grupit parlamentar të BDI-së, Arber Ademi, para Kuvendit ka deklaruar se do ta mbështesin padyshim këtë iniciativë. Por, nuk do mend edhe përkudnër debateve nga eksponent të LSDM-së, sërish meqë ka kaluar nga Qeveria në Kuvend ky ligj do të përkrahet edhe nga LSDM-ja si partnere e koalicionit me BDI-në dhe ASH-në.
Deri në këto momente ky ligj po kundërshtohet vetëm nga VMRO-DPMNE me argumentin e vetëm që do ta falen të dënuarit për rastin monstra. Kurse partitë opozitare shqiptare thanë se ende nuk kanë draft dokument të propozim ligjit për amnisti, kur do ta kenë tekstin si koalicion, do të kenë qëndrim për këtë çështje.
Kush përfiton nga miratimi këtij ligji në Kuvend?
Nga gjithsej 2.114 të burgosur në të gjithë vendin me Propozim ligjin e ri për amnisti lirohen plotësisht 286 persona, ndërsa 996 të burgosur marrin lirim të pjesshëm nga efekti prej 30 për qind. Nga kjo kuptohet që fituesit më të mëdhenj do të jenë të burgosurit të cilët në mënyrë jo njerëzore po vuajnë dënimet e tyre në ato hapësira katastrofale dhe çnjerëzore. Prandaj, edhe të burgosurit janë qytetarë të këtij vendi dhe nuk do mend që duhet të trajtohen e të ndihmohen përderisa kanë gabuar njëherë tu jep një shancë për risocializim dhe përmirësim të gabimeve.
Ndërkaq, kur flasim për poena politik fitues absolut do të jetë Aleanca për Shqiptarët, saktësisht Krenar Lloga ministër i Drejtësisë, iniciues i këtij propozimligji pas vizitës në burgun e Idrizovës. Një gjë duhet të sqarohet e pastrohet njëherë e përgjithmonë të dënuarit për rastin e 27 prillit për ngjarjet në Kuvend, nuk janë të ngjashëm me të dënuarit për rastin Monstra, pasi për këta të fundit dëshmitë dhe materialet që kishte Zaev ende nuk janë publikuar. Pra, flitet për dy raste të ndryshme që në rastin e parë shihen video incizime teksa këta kriminel ushtrojnë dhunë dhe terror, ndërkaq në rastin e dytë flitet për rast të montuar politikisht. /Zhurnal.mk
