Fitor Jakupi, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe ish-këshilltar i Bashkimi Demokratik për Integrim në Komunën e Kumanovës, ka reaguar publikisht pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Sipas Jakupit, gjithçka ka nisur me një vendim të datës 18 dhjetor 2024, kur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike i ishte caktuar transferim i përkohshëm nga Kumanova në Shkup, me arsyetimin e nevojave për përballimin e vëllimit të punës dhe zgjidhjen e lëndëve të mbetura. Fillimisht, ky angazhim ishte paraparë për tre muaj, por më pas, sipas tij, është zgjatur në mënyrë të njëanshme në gjashtë muaj dhe më pas edhe për gjashtë muaj të tjerë, duke arritur një periudhë totale prej një viti.
Ai thekson se, gjatë kësaj kohe, është angazhuar edhe në detyra që nuk i përkisnin pozitës së tij sipas sistematizimit, si “përmbarues i ri”, por se nuk ka kundërshtuar, “me qëllim që puna të mos ngecë”.
Megjithatë, Jakupi pretendon se vendimet e mëtejshme kanë qenë në kundërshtim me rregulloret dhe marrëveshjen kolektive të institucionit. Ai veçon një vendim të datës 21 janar 2026, me të cilin i ishte kërkuar të vazhdojë punën në Shkup deri më 31 dhjetor 2026, duke e konsideruar këtë si tejkalim të afateve të lejuara ligjore.
“Sot, si pasojë e kundërshtimit tim ndaj këtyre vendimeve, më është dorëzuar vendimi për largim nga marrëdhënia e punës. Ky nuk është vetëm një rast individual, por dëshmi e një problemi më të gjerë që prek shumë punonjës”, deklaron Jakupi.
Ai shton se vendimi për largim, sipas tij, shkel normat bazë të të drejtave të punës dhe është marrë pa një bazë të qëndrueshme ligjore.
“Me këtë vendim janë thyer të gjitha standardet dhe të drejtat e punonjësve që përpiqen të jenë shembull në shërbim të interesit publik. Nuk do të hesht dhe do të vazhdoj të kërkoj drejtësi për veten dhe për të gjithë ata që ndodhen në situata të ngjashme”, ka theksuar ai. (koha.mk)
