Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbahet sot (15 tetor) në Luksemburg, ku do të hapen bisedimet për grup-kapitujt në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ky proces për Shqipërinë ishte bllokuar për një vit për shkak të vetos greke, por tani çështja është zhbllokuar.
Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.
Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga zyra e Kryeministrisë.
Në një deklaratë për mediat, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria ka ambicie që të integrohet në BE brenda vitit 2030.
“BE dhe Evropa janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam t’u lëmë brezave të ardhshme me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë, ku liritë, të drejtat, sundimi i ligjit dhe siguria mund të garantohen. Kështu që po, ky moment është i veçantë dhe më duhet të them dhe falë edhe Vladimir Putinit, i cili për shkak të luftës mizore të agresionit, zgjoi nga gjumi edhe më skeptikun dhe i bëri të shohin realitetin që Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për një BE më të forte, po aq sa BE, konstelacioni i BE është i nevojshëm për Ballkanin Perëndimor. Kësisoj jemi të dyja palët në një gjatësi vale. Do të bëjmë më të mirën dhe do të vrapojmë shpejt për t’u siguruar që kjo dritare e jashtëzakonshme mundësie të mos mbyllet pa ne, brenda në Bashkimin Evropian… Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, tha Rama.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Shqipëria filloj negociatat më 19 korrik 2022, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Por, më 25 shtator doli lajmi nga Brukseli se Shqipëria do të hapë kapitujt e parë të negociatave të pranimit me BE-në, duke u ndarë edhe zyrtarisht nga Maqedonia e Veriut.
Arsyeja ishte se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar. Ky kusht është futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME ishte kundër ndryshimeve kushtetuese.
Pas vendimit të BE-së për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Micoski tha se ky është mesazh i keq për qytetarët maqedonas.
“Si shtet kemi bërë shumë në dy dekada e gjysmë, që kur kemi nisur rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Mendoj se shumë gjëra që askush nuk i ka bërë, që tani ose janë shtet kandidat apo anëtar, ne i kemi bërë dhe këto nuk kanë të bëjnë aspak me kriterin e Kopenhagës. Ne jemi rasti i vetëm kur marrëveshjet dypalëshe janë kushte në kornizën negociuese”, tha ai.
