Qytetarë të shqetësuar dërguan video dhe fotografi të arinjve që lirshëm shëtisin edhe gjatë ditës nëpër fshatrat e kësaj komune. Adnan Saliu kryetar i bashkësisë lokale të Zhirovnicës thotë se problemi me arinjtë në fshatrat e Mavrovës dhe Rostushës, vazhdon të mbetet i pa zgjidhur edhe pse kanë kërkuar vazhdimisht ndihmën e institucioneve.
“Ky problem nuk trajtohet seriozisht nga institucionet, ata menduan se në dimër u ul numri dhe tani erdhi pranvera, u është pakësuar ushqimi lartë dhe zbresin përsëri dhe kërkojnë ushqim në prona privatë që mbajnë bagëti, qofshin dele apo dhi dhe fatkeqësisht i njëjti problem përsëritet. Çdo natë i shohin edhe tek kontejnerët dhe në fshat 3 apo 4 në lokacione të ndryshme. Seriozisht të merret ky problem sa nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi serioze”, tha Adnan Saliu – Banor i fshatit Zhirovnicë.
Nga qendra për menaxhim me kriza thonë se në ditët në vijim do të kenë koordinim dhe do të shihet se cilat do të jenë masat që do të merren për mënjanim të problemit me arinjtë në fshatrat e Mavrovës dhe Rostushës. Vitin e kaluar arinjtë shkaktuan shumë dëme në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës. Autoritetet, vitin e kaluar shqyrtuan disa masa në mesin e të cilave vënia në gjumë dhe zhvendosja e arinjve si dhe ushqimi i arinjve jashtë vendeve të banuara, por të njëjtat nuk u zbatuan.