Ali Ahmeti thotë se dokumenti i nënshkruar nga të gjithë liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut para zgjedhjeve, se nuk do të formohet qeveri pa realizimin e ndryshimeve kushtetuese është shkelur nga liderët e VLEN-it, shkruan TV21.
“Së paku unë nuk njihem për gënjeshtar në opinion, sepse nënshkrues i asaj marrëveshje, i atij dakordësimi jemi bashkë me të gjithë, sot andej, ata që e kanë braktisur këtë marrëveshje dhe e kanë shkelur këtë marrëveshje. Nga të gjithë këtu që janë me mua bashkë, asnjëri nuk është nënshkrues, nënshkruesit janë andej dhe nuk e kanë respektuar fare”, deklaroi Ahmeti.
I pyetur nëse do të publikohet dokumenti, Ahmeti tha se dokumenti është në duar të VLEN-it dhe se i njëjti është i vulosur.
“Unë ju siguroj që lëre që nuk janë të nënshkruara, por janë të vulosura prej të gjitha partive që e kanë pranuar atë dokument. Dokumenti është në adresën e caktuar dhe për fat të mirë, atë adresë nuk e di unë, e dinë ata të cilët e kanë shkelur legjitimitetin, sepse unë nuk jam ai që e kam futur në postën e dedikuar. Kërkoni prej atyre që e kanë shkelur legjitimitetin dhe marrëveshjen”, tha Ahmeti.