Shefi i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha sot se disa vende europiane po përpiqen që t’i frikësojnë gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJND), për shkak të rastit kundër liderëve të Izraelit. Ai iu bëri thirrje që të shmangin “ndërhyrjen” e ta respektojnë gjykatën.
Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, njoftoi se ka bërë kërkesë për lëshimin e fletë-arresteve kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant e po ashtu, ndaj tre liderëve të Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.
Prokurori nuk ka bërë asgjë më shumë se një akuzë dhe për këtë do të vendosë gjykata. I bëj thirrje të gjithëve, duke nisur nga Qeveria e Izraelit dhe disa qeveri evropiane, të mos i frikësojnë gjykatësit, tha Borrell duke folur për televizionin spanjoll TVE.
Mos i kërcënoni ata e mos tentoni të ndikoni në vendimet e tyre, nganjëherë me kërcënime dhe me skualifikime shumë të ashpra.
Khan u shpreh se beson se Netanyahu, Gallant, si dhe tre liderë të Hamasit e që janë Yehia Sinwar, Mohammed Deif e Ismail Haniyeh janë përgjegjës për krime lufte e për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, të paktën nga 7 tetori 2023.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre. Izraeli e mohon se po kryen krime lufte në Gaza e thotë se GJNP-ja nuk ka juridiksion atje. Disa vende e kanë dënuar vendimin e prokurorit të GJNP-së për të kërkuar fletarrestime për liderët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendin aleat kryesor të Izraelit, i cili nuk është pjesë e GJNP-së.
Izraeli e nisi luftën në Gaza si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.