“Në fakt, ka një realizëm në rritje se nuk ka alternativë tjetër. Pra, mendoj dhe shpresoj se do të shohim që rruga të vazhdojë të jetë synimi kryesor politik i qeverisë së re”, tha zëvendës ndihmës sekretari dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar në një intervistë online për Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik.
Eskobar, gjatë bisedës për rolin e Shteteve të Bashkuara përballë sfidave në Ballkanin Perëndimor, u pyet nëse pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe shqetësimit në rritje për Marrëveshjen e Prespës, ai ende beson se rruga drejt Evropës do të vazhdojë, siç deklaroi ai ditën e zgjedhjeve.
GABRIEL ESKOBAR
“Po. Unë mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia bënë shumë të qartë qëndrimin presidentit pas inaugurimit se ne presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe më besoni, ata janë një anëtar i përkushtuar i NATO-s. Dhe morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake të partisë kryesore që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane”.
Greqia e lidhi progresin e vendit drejt BE-së me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht me “përdorimin e emrit kushtetues të vendit”, pasi Gordana Siljanovska-Davkova gjatë inaugurimit të presidentes tha Maqedonia, dhe jo Maqedonia e Veriut.
Kabineti i Siljanovska-Davkovës menjëherë pas inaugurimit njoftoi se presidentja do t’i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues, por se në daljet e saj publike “ajo ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje. dhe vetë identifikimi”.
Ministria e Punëve të Jashtme greke deklaroi se ky veprim i Siljanovskës është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Prespës.
Departamenti i Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara do t’i kërkojnë Greqisë të votojë për memorandumet, siç i kërkuan edhe Maqedonisë së Veriut të respektojë marrëveshjen, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në Marrëveshjen e Prespës, dhe për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”.
Shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit tha se ndërsa formohet qeveria e re dhe zgjidhet një kryeministër, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e respektimit të “marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.