Zëdhënësi i Komisionit Europian ka deklaruar për Euractiv se Marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zbatohet nga “të gjitha palët” dhe me “vullnet të mirë”. Kjo vjen pas mosmarrëveshjes së re midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit. Kriza e re diplomatike midis dy vendeve u shkaktua pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila vjen nga VMRO DPMNE nuk përdori emrin kushtetetues të vendit “Maqedonia e Veriut” por vetëm Maqedonia.
Incidenti ka ngjallur reagime në të gjithë Europën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë frikë nga një ringjallje e kontestit, që shihet si një plagë e hapur për rajonin e Ballkanit.
Reagime ka ngjallur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili ka deklaruar se ka të drejtë që vendin e tij ta quajë si të dojë. Madje, Mickoski ka ftuar Greqinë që të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, siç parashikohet në nenin 19 të Marrëveshjes, në rast se e konsideron shkelje të Marrëveshjes së Prespës.
Marrëveshja e Prespës i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por mes një krize të re, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kërcënuar të vërë veton në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së nëse Shkupi nuk respekton marrëveshjen për ndryshimin e emrit. Kreu grek theksoi gjithashtu se tre protokollet e bashkëpunimit në vazhdim, të cilat janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës dhe që partia në pushtet i shmangu për shkak të kundërshtimit të disa linjave të marrëveshjes, nuk do të kalojnë në Kuvend. “Nëse dikush mendon se mund ta injorojë Marrëveshjen, duhet ta dijë se rruga e tyre drejt Europës do të mbetet e mbyllur dhe se protokollet nuk do të ratifikohen nëse nuk respektohet ajo që parashikon Marrëveshja”, tha Mitsotakis.
Nga ana e tij, Komisioni Europian thotë se “të gjitha palët” duhet t’i përmbahen marrëveshjes.“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet ekzistuese dypalëshe duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për Euractiv.