Pasi një ditë më parë përfundoi periudha tranzitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit serb, nga sot do të merren masa për të gjithë ata që përdorin valuta të tjera përveç euros, për transaksione me para në Kosovë. E shtuna e 11 majit 2024 ishte dita e fundit e periudhës tranzitore të Bankës Qendrore në lidhje me çështjen e dinarit.
Në kuadër të kësaj periudhe të vënë në dispozicion nga autoritetet e Prishtinës zyrtare, nuk janë vendosur masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth mënyrës së zbatimit të rregullores për pagesa të tilla. Nga ana tjetër, bankat tregtare që veprojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veriun me shumicë serbe.
Urdhri është që pas 12 majit, që të gjitha transaksionet me para, kudo në Kosovë, duhet të bëhen me monedhën e përbashkët europiane, euro. Në rregulloren e BQK-së, theksohet:
Valutat e tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.
Zbatimi i rregullores sidomos në veri të vendit vlerësohet se mund të jetë sfidues. I pyetur pak ditë më parë në lidhje me përfundimin e fazës tranzitore, kryeministri Albin Kurti vuri në dukje se për këtë pjesë është Banka Qendrore ajo që vendos për çështje të tilla, jo ekzekutivi.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Prishtinës që ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve të përshtaten me praktikën e re. Por, qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se është fjala për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për një vendim politik.
Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje mes Prishtinës e Beogradit e me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhjeje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore (BQK), euro u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para duke nisur nga 1 shkurti 2024. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, vend që përmes buxhetit të tij shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
