Gjenerata Z ka krijuar një trend të ri që quhet JOMO (kënaqësia nga të mosqenit prezent në gjithçka që të tjerët bëjnë).
Ky trend është bërë një nga top-trendët e mirëqenies këtë vit. Kënaqësia nga të mosqenit prezent në gjithçka që të tjerët bëjnë mund të ndikojë për të mirë duke mos u koncentruar në atë se çfarë janë duke bërë të tjerët, por duke u fokusuar në mirëqenien e vetvetes.
Deri më tash është bërë i njohur një term që quhet FOMO (frika se mos po humbet diçka nga ajo që të tjerët po bëjnë).
Kjo gjendje është krijuar nga përdorimi i rrjeteve sociale në mënyrë të gabuar. Pra, duke parë se çfarë po bëjnë të tjerët e duke menduar se çfarë je duke humbur.
Kjo gjendje psikologjike shkaktohet kur një person sheh nëpër rrjete sociale fotografi perfekte të individëve të ndryshëm, duke menduar se gjithçka rreth tyre është perfekt. Duke parë suksesin e të tjerëve ndoshta dikush mund të inspirohet e të korrë sukses edhe për vete, por kjo gjë është e gabuar.
Prakriti Poddar, eksperte e mirëqenies nga Seattle, SHBA, ka thënë se trendi JOMO ka të bëjë me të gjeturit e lumturisë duke bërë gjëra në shtëpi, pra duke refuzuar festat e tubimet e ndryshme, në mënyrë që të qëndrosh në shtëpi duke lexuar diçka që të pëlqen, duke gatuar diçka për familjen apo duke kaluar kohë kualitative me veten, duke zgjedhur të kalosh një fundjavë të gjatë në shtëpi duke shijuar shoqërinë e vetvetes.
Ajo ka thënë se daljet e kalimi i kohës me shoqëri, duke dalë nga zona e rehatisë, nuk është gjithnjë në të mirë të mirëqenies së vetvetes. Trendi JOMO nuk do të thotë që të kalohet tërë koha në vetmi, do të thotë që të bën të pushosh pak nga FOMO.
“FOMO shpesh na shtyn të marrim vendime të shpejta duke mos e vlerësuar vetveten, kurse JOMO na shtyn të respektojmë vetveten më shumë duke mos u munduar të bëjmë qejf duke u bazuar në standardet jetësore të të tjerëve”, ka thënë Poddar.
Ajo ka thënë JOMO ndikon për të mirë në shëndetin mendor pasi ky trend nuk inkuadron shumë vëzhgim të rrjeteve sociale.
Në një studim që është bërë në Universitetin e Arkansas, në Alabama, SHBA, që është quajtur “Lidhshmëria ndërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, formimit të personaliteti dhe zhvillimit të depresionit”, thuhet se përdorimi i gabuar i rrjeteve sociale shkakton probleme mendore pasi çon në probleme të krahasimeve sociale, gjë që rrit ndjenjat negative tek vetvetja dhe të tjerët.
“Duke mos pasur kontakt direkt me njerëzit, e duke shikuar vetëm atë që postojnë, rrit rrezikun nga informimi i gabuar dhe keqkuptimi i situatave gjë që krijon rrezik potencial për zhvillimin e problemeve mendore”, ka thënë autori i studimit, Renae A.Merrill.
JOMO në anën tjetër të inkurajon të shikosh më thellë se çfarë dëshiron të bësh duke mos u bazuar në shijet e të tjerëve nëpër rrjete sociale, duke të lejuar të riintegrohesh në jetën jashtë internetit.
JOMO të lejon të jesh autentik e i vërtetë ndaj vetvetes, që ndikon pozitivisht në mirëqenie mentale.
Për të kultivuar më shumë trendin JOMO, këshillohet që të praktikohet detoksi digjital, kjo gjë arrihet duke qëndruar më pak në rrjete sociale gradualisht çdo ditë.
Përdormi i rrjeteve sociale me kujdes po ashtu do të ndihmojë. Kjo arrihet duke bllokuar llogaritë toksike, duke parë vetëm gjërat që të inspirojnë e që i përshtaten stilit tënd të jetesës, duke konsumuar kështu vetëm përmbajtjen pozitive të rrjeteve sociale për vetveten.
Fokusimi në kujdesin ndaj vetes ndihmon po ashtu, kjo arrihet duke shtyrë vetveten për bërjen e ushtrimeve të lehta, duke relaksuar mendjen.
Vendosja e kufijve mund të ndihmojë gjithashtu, duke vendosur prioritet që të kalosh kohën duke bërë diçka që të pëlqen. Poddar ka thënë se është shumë në rregull të thuash “jo” e të mos japësh shpjegime.
Shijimi i lidhjeve jashtë rrjeteve sociale është këshilla tjetër, gjë që mund të arrihet duke dalë me shokë e familjarë ku mund të zhvillohen aktivitete e biseda reale.
Praktikimi i trendit JOMO lejon fokusimin te të jetuarit me qëllime të mira ndaj vetvetes. Kjo mënyrë inkurajon individët që të zgjedhin eksperienca pozitive të cilat me të vërtetë i duan më shumë se ajo që bëjnë kur inspirohen nga të tjerët. Duke qëndruar nga pak larg rrjeteve sociale e “perfeksionit” që shprehet aty, njerëzit lidhen me diçka që ka vërtet rëndësi për ta.