Ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions League u mbajt mbrëmjen e së martes.
Katër skuadrat e mbetura në lojë, gjermanët Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, PSG dhe Real Madrid, do të përpiqen të fitojnë aktin final në “Wembley” dhe të forcojnë statusin e tyre me trofeun më prestigjioz në nivel kontinental.
Kompeticioni më i mirë evropian për klube nuk ka vetëm vlerë sportive, por edhe ekonomike.
Pjesëmarrja ose jo për një klub të nivelit të parë mund të bëjë diferencën për sa i përket investimeve në merkato, duke qenë se Champions League sjell të paktën 40 milionë euro në vit në arkat e klubeve.
Një shifër që do të rritet mesatarisht me rreth 10 milionë euro për klub me edicionin e ri, i cili do të nisë nga 2024-25.
Por si do të ndryshojnë çmimet për gjysmëfinalet? Sa do t’ia vlejë aksesi në aktet e fundit të eventit duke filluar nga viti i ardhshëm?
Duke filluar nga sezoni aktual, 2023-24, çmimet nga gjysmëfinalet e Champions League e në vazhdim janë: kualifikimi për në gjysmëfinale 12.5 milionë euro për klub; kualifikimi në finale 15.5 milionë euro për klub dhe fitorja në finale 4.5 milionë euro.
Kjo do të thotë se klubi fitues mund të fitojë gjithsej 32.5 milionë euro mes arritjes në gjysmëfinale dhe fitimit të trofeut. Një shumë tashmë e konsiderueshme, së cilës i shtohen edhe të ardhurat e ndeshjes.
Shifra do të ndryshojnë në edicionin e ri të turneut, i pari që nga prezantimi i formatit të ri. Kualifikimi për në gjysmëfinale do të sigurojë 15 milionë euro për klub. Finalistët do të marrin nga 18.5 milionë euro. Ndërsa kampioni do të marrë edhe 6.5 milionë euro.
Shuma maksimale që mund të mblidhet falë tre ndeshjeve të fundit do të rritet në 40 milionë euro, 7.5 milionë më shumë se ajo aktuale. Gjithashtu në këtë rast nuk duhet të harrohen të ardhurat që rrjedhin nga një ndeshje shtesë në shtëpi.