Një ekip arkeologësh në Zakotorac të Kroacisë ka bërë një zbulim të madh arkeologjik pasi ka gjetur një përkrenare ilire, e cila mendohet të jetë 2500 vjeçare. Zbulimi i përkrenares është rezultat i një pune kërkimore 4 vjeçare të tumave të varreve në këtë zonë, ku janë gjetur një sasi e madhe artefaktesh të vlefshme që mund të ndryshojnë dhe historinë për kolonizimin grek të Mesdheut në mijëvjeçarin e fundit para Krishtit.
“Paraprakisht mund ta datojmë këtë përkrenare në shekullin e gjashtë para Krishtit. Është shumë interesante që këtu shfaqen dy lloje të ndryshme në të njëjtin vend, gjë që në fakt flet për vazhdimësinë e fuqisë së komunitetit në fjalë. Këto përkrenare kanë qenë gjithmonë një simbol i një lloj statusi dhe pushteti”,-tha profesori Hrvoje Potrebic nga Departamenti i Arkeologjisë i Fakultetit Filozofik në Zagreb.