Meta do të prezantojë një mjet të ri sigurie për të ndaluar fëmijët të pranojë fotografi nudo dhe për të dekurajuar ata të dërgojnë të tilla. Bëhet e ditur se funksioni i ri i mbrojtjes do të turbullojë imazhet me përmbajtje të ndaluara dhe do t’i shtyjë përdoruesit të mendojnë përpara se të dërgojnë të tilla foto. Ky funksion do të aktivizohet si parazgjedhje për përdoruesit që janë nën 18 vjeç dhe do t’u shfaqet edhe të rriturve për t’i inkurajuar ta aktivizojnë atë.
Në fillim të këtij viti, policia e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se fëmijët që dërgonin imazhe nudo kishin kontribuar në rritjen e numrit të veprave seksuale të kryera nga fëmijët në Angli dhe Uells. Gjithashtu, ka edhe shumë raste shantazhimi kur fëmijët kërcënohen se imazhet e tyre do t’i dërgohen familjes ose të publikohen në rrjete sociale nëse nuk paguajnë para. Të marrësh, të bësh dhe të shpërndash një imazh të tillë të një fëmije nën 18 vjeç konsiderohet krim.
Sipas Rani Govender, zyrtare e lartë e politikave në organizatën Shoqëria Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve (NSPCC), masat e reja janë krejtësisht të pamjaftueshme për të mbrojtur fëmijët dhe Meta duhet të shkojë më tej për të trajtuar abuzimin e fëmijëve në platformat e saj. “Më shumë se 33 mijë krime të abuzimit seksual të fëmijëve janë regjistruar nga policia vitin e kaluar, me mbi një të katërtën e tyre të kryer përmes shpërndarjes së fotove në shërbimet e Meta-s”,-tha Govender.
Rikujtojmë se Meta ka njoftuar se përdoruesit e Messenger do të mund të krijojnë albume të përbashkëta në bisedat e tyre, të dërgojnë foto me cilësi të lartë dhe dokumente deri në 100 MB. Kjo risi synon përdoruesit që duan të krijojnë albume të përbashkëta ose shpërndajnë imazhe HD përmes shërbimeve si Google Drive. Deri më tani, përdoruesit mund të shihnin vetëm një mori fotosh të shpërndara në një bisedë dhe nuk mund t’i organizonin.