Me 75 vota pro, Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, duke i dhënë “dritën jeshile” kërkesës së SPAK-ut për arrestimin. Kjo pasi Berisha, i akuzuar për “Korrupsion pasiv” në privatizimin e klubit Partizani, refuzoi të zbatonte masën e “Detyrimit për paraqitje” që iu caktua dy muaj më parë.
Pas votimit nga i cili nuk priteshin surpriza, Kuvendi njofton zyrtarisht SPAK-un që në GJKKO pritet të kërkojë “Arrest me burg” ose “Arrest shtëpie” për Sali Berishën. Edhe seanca e sotme, e fundit e këtij sesioni parlamentar zgjati fare pak, vetëm 9 minuta. Nga PD-ja zyrtare nuk kishte asnjë deputet në sallë, as Enkelejd Alibeaj, i cili në mbledhjen e 18 dhjetorit në Këshillin e Mandateve dha OK-ein për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Deputetë të përjashtuar për kaosin në seancat e kaluara tentuan të hynin në selinë e Parlamentit, por nuk u lejuan nga Garda. Ndërkaq, në sallën ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, sërish u ndezën flakadanë e Flamur Noka shtyu me karrige efektivë të Gardës. Jashtë Kuvendit, mbahej protesta e opozitës me moton: “O SOT, O KURRË!”.
Sali Berisha reagoi pas votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit të tij, çka i hap rrugë arrestimit, duke e quajtur “akt të paligjshëm”. Fillimisht, foli për gazetarët në oborrin e parlamentit e më tej iu drejtua protestuesve me një fjalim. Tashmë, Berisha ndodhet në zyrën e tij në Selinë Blu, ku shkoi në këmbë, i shoqëruar nga deputetë e mbështetës. Nga shkallët e godinës përsëriti se është më i fortë dhe më i vendosur se kurrë.
Më herët, para votimit, Sali Berisha shprehej:
Deputetët e opozitës i kanë kallur tmerrin mazhorancën. Parlamenti ka më shumë gardistë se deputetë. Prej shumë javësh, parlamenti de facto është shndërruar në ilegjitimitet. Pas një vendimi antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, pas një vendimi antikushtetues të komisionit Rama-Brava për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e kryetarit të PD-së, duke besuar se në këtë mënyrë do të mposhtin opozitën, ky është një krim i vërtetë, por në realitet, ky krim nuk mund të mposhtë kurrë opozitën!