Euro 2024 po merrë formë gjithnjë e më shumë. Tashmë janë mësuar të gjitha skuadrat e kualifikuara nga faza e grupeve dhe kanë mbetur vetëm tre të fundit që do të vijnë nga play-off, ku garojnë 12 ekipe.
Vazot që do të caktojnë grupet për fazat finale të Euro 2024 gjithashtu janë të përcaktuara. Anglia, së bashku me Gjermaninë, pritëse të turneut, Spanjën, Francën, Portugalinë dhe Belgjikën janë në vazon e parë.
Shqipëria do të jetë në vazon e dytë, së bashku me Hungarinë, Rumaninë, Turqinë, Danimarkën dhe Austrinë.
Gazeta angleze, “The Sun”, ka bërë një përllogaritje se si do të dukej grupi më i mirë dhe më i keq për ta në Euro 2024. Dhe, në grupin më të mirë ose më të lehtë, ata kanë pozicionuar Shqipërinë si kundërshtare të mundshme të “Tre Luanëve”.
Sipas raportit, grupi më i mirë do të ishte: Angli, Shqipëri, Slloveni dhe Kazakistan. Në fakt, është një grup që edhe për kuqezinjtë do të ishte ideal, pasi përveç një ekipi të madh nga vazo e parë do të shmangte emra si Italia, Holanda apo dhe Kroacia.
Përsa i përketë grupit më të keq, media angleze ka përllogaritur se do të ishte ai ku “Tre Luanët” do të kishin përballë Danimarkën nga vazo e dytë, Holandën nga vazo e tretë dhe Italinë, kampione në fuqi, nga vazo e katërt.
Danimarka, është ekipi të cilin djemtë e Gareth Southgate e mundën 2-1 në gjysmëfinalen e Euro 2020. Ndërsa, Italia është skuadra e cila mundi Anglinë në finalen e Euro 2020 në “Wembley”.