Grupi parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë i ka drejtuar një kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, pas ndezjes së tymueseve gjatë seancës plenare të një dite më parë.
Në të kërkohet marrja e masës disiplinore ndaj 3 deputetëve të opozitës dhe konkretisht Saimir Korreshit, Elda Hotit dhe Lindita Metaliajt.
“Situata e përsëritur nga deputetët e opozitës në çdo fillim seance, duke penguar zhvillimin e rregullt të saj, është bërë e patolerueshme. Kaosi i krijuar nga deputetë të caktuar të opozitës në seancën e datës 9 nëntor 2023, duke larguar karriget dhe duke i vënë si barrikada, është në kundërshtim me rregulloren e kuvendit dhe kodin e sjelljes. Situata në sallën e Kuvendit u përkeqësua edhe më shumë kur deputeti Saimir Korreshi u pa të merrte disa tymuese nga çantat e deputeteve Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj, duke e bërë të pamundur zhvillimin e seancës”, thuhet në kërkesën e socialistëve.
Ata kërkojnë mbledhjen e sekretariatit, votimet dhe etikën për vlerësimin e masës disiplinore.