Ikonë, mit, fantazmë. Vetëm një njeri ka ditur të jetë të gjitha këto gjëra së bashku, ndërkohë që ishte ende midis nesh: MARLON BRANDO. Dy Oscar-ë, tre martesa, fëmijë të ndryshëm e dhjetëra gra që futeshin në shtratin e tij dhe e trajtonin si Jezusin (“Por unë nuk doja të përfundoja në kryq”- thoshte ai), ai “vrau” shëmbëlltyrën e tij prej një të riu rebel, për t’u katandisur në një plak 160 kg, i sëmurë dhe i vetmuar. Por, edhe 17 vjet pas vdekjes, Brando vazhdon të jetë një model i paimitueshëm. Unik!
Nga Teresa CIABATTI
“Besoni se nuk e di çfarë ju ndodh? Keni nevojë për mua për një transfuzion. Sepse gjaku ju është kthyer në pluhur dhe ju ka bllokuar zemrën. Vetëm prej botës time, ju mund të merrni frymë”, thotë Marlon Brando, teksa luan Don Zhuanin DeMarco, nga Jeremy Leven. Vetëm ai mund të shqiptonte këto fjalë. Vetëm ai mund t’i thoshte me autoritet. Jemi në vitin 1994, Marlon Brando e ka reduktuar prej vitesh shfaqjen jashtë dhe brenda trupës së xhirimeve, duke ushqyer mitin e vetvetes. Shpall tërheqjen, pastaj kthehet, pastaj zhduket sërish. Por askush nuk e harron. Elton John-i shkruan për të: “Mirupafshim, Marlon Brando. Ikonë, Mit, Fantazmë”. Ekzaktësisht si Marilyn Monroe, vetëm se ajo ka vdekur me të vërtetë. Askush përpara Marlon Brando-s nuk ia ka dalë të bëhet ikonë, duke qenë ende gjallë. Ai ia doli duke u kristalizuar në një të tashme të përjetshme, rinie dhe suksesi. Ndal kohën e ekranit, ndërkohë që ajo e jetës reale ecën. Ndalet djaloshi në kanotiere – ai i “A streetcar named desire”, nga Elia Kazan, i vitit 1951, e që ka imponuar një model të ri mashkullor: antikonformist, brutal, por edhe sentimental. Ndalet Johnny, Rebeli i “The Wild One” me regjisor Laslo Benedek, i vitit 1953, që pyetjes: “Kundër kujt rebeloheni?” i përgjigjet: “Kundër jush”./koha.mk