Një 20-vjeçar është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës pasi ka shtënë me armë në oborrin e një diskoteke në Gjilan dhe ka hedhur një granatë dore, e cila nuk kishte shpërthyer.
Sipas dy punëtorëve të sigurimit në diskotekë, 20-vjeçari ishte afruar afër hyrjes se diskotekës dhe kishte shtënë me armë zjarri ne drejtim të ankuesve, e më pas kishte hedhur edhe granatën.
Nga të shtënat me armë zjarri është dëmtuar një automjet i cili ishte i parkuar ndërsa të lënduar nuk ka pasur.
Policia më pas ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe aty ka gjetur disa armë.
“Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, njësitet policore gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kosovar kanë gjetur e sekuestruar: tri armë gjuetie, një pistoletë dhe 16-copë fishekë cal-9×19 mm, në pronësi të prindit të dyshuarit, ndërsa është konfiskuar edhe një pistoletë e tipit TT, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast”, thuhet në raportin ditor të PK-së.
Për shkak të këtij rasti, ishte ndërprerë edhe performanca e këngëtarit Mozzik i cili ishte në skenën e diskotekës në momentin kur i riu shtiu./Tv.21