Shkup, 25 korrik – Gjatë muajit qershor të vitit 2023, në koordinim dhe me mbështetjen e INTERPOL-it dhe Europol-it, dhe me pjesëmarrjen aktive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në pesë shtete u krye një aksion operacional ndërkombëtar, në të cilin u privuan nga liria 62 persona, nga të cilët 25 ishin shtetas kubanë. Gjithashtu janë sekuestruar dokumente dhe para të falsifikuara, njoftoi sot MPB.
Anëtarët e grupeve kriminale kanë përdorur aplikacione në rrjetet sociale për të “promovuar” shërbimet e tyre ndaj qytetarëve të rrezikuar (në këtë rast shtetasve kubanë), sqaron MPB-ja dhe për një shumë prej rreth 9 mijë eurosh, kriminelët kanë organizuar udhëtimet, transfertat dhe kanë siguruar dokumentacionin e falsifikuar, të nevojshëm për të hyrë në Bashkimin Evropian.
“Migrantët përdornin transportin ajror nga Kuba në Serbi dhe përmes Maqedonisë së Veriut tentuan të hynin ilegalisht në Greqi, nga ku, nga ana tjetër, vazhduan udhëtimin e tyre për në Spanjë. Vlerësohet se rreth 5000 qytetarë kubanë u futën me kontrabandë në BE, duke gjeneruar një fitim prej rreth 45 milionë euro për grupet kriminale”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga hetimet e kryera, sqaron MPB-ja, u zbulua një rrjet kompleks kriminal i krijuar në të gjithë Greqinë, Serbinë dhe Spanjën, anëtarët e të cilit iu përshtatën të gjitha rrethanave, për të vazhduar biznesin kriminal.
Kontrabandistët dhe bashkëpunëtorët e tyre që lehtësuan lëvizjen e migrantëve nga Kuba përmes Maqedonisë së Veriut ishin kryesisht shtetas serbë dhe ata kishin ndihmësit e tyre në të gjithë vendin tonë.
“Njëkohësisht, gjatë zbulimit të rasteve të veprës penale “kontrabandim me migrantë” të personave nga Kuba në Maqedoninë e Veriut, autorët janë proceduar para organeve kompetente me parashtresa përkatëse. Konkretisht, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kishin një regjim pa viza me Kubën dhe u përdor për të arritur hyrjen legale, deri më 01.01.2023, kur Maqedonia e Veriut mori vendim për vendosjen e vizave për Kubën, pra deri në prill të vitit 2023, kur Serbia bëri të njëjtën gjë”, theksojnë nga MPB.
Hetimi, i koordinuar nga INTERPOL dhe Europol, filloi në tetor të vitit 2021 pasi Finlanda, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia raportuan një numër në rritje të qytetarëve kubanë që përpiqeshin të hynin në Evropë me dokumente false.
“Së pari, qytetarët kubanë përdorën fluturime komerciale për në Rusi, ku kriminelët u ofruan mundësinë për të kaluar ilegalisht kufirin ruso-finlandez dhe kështu të hynin në BE, dhe si opsion tjetër iu ofruan fluturime për në Serbi dhe prej andej për të vazhduar udhëtimin e tyre për në Evropën Qendrore ose Jugore. Megjithatë, pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, rruga ndryshoi, kështu që qytetarët kubanë fluturuan nga Gjermania në Serbi. Rrjetet kriminale më pas lehtësuan hyrjen e tyre të paligjshme në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, duke detyruar shpesh grupe migrantësh të lëviznin natën për orë të tëra, pa furnizime me ushqim dhe ujë. Disa nga migrantët më të cenueshëm, përfshirë të miturit, u ekspozuan ndaj mashtrimit, grabitjes dhe zhvatjes, dhe disa gra u transferuan në grupe të tjera kriminale për shfrytëzim seksual”, thuhet në kumtesë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes njësive përkatëse ka luajtur një rol aktiv që nga fillimi i këtij hetimi.
Takime operative janë mbajtur me të gjitha vendet e interesuara në selinë e INTERPOL-it në Lion të Francës dhe Europol-it në Hagë, Holandë. Takime janë mbajtur edhe në nivel dypalësh midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Greqisë, për të shkëmbyer informacione që mund të jenë të dobishme për hetimin në vendet. /zhurnal