Gostivar, 23 korrik – Trembëdhjetë ditë pasi u shfaqen grafitetet me mbishkrime antishqiptare në disa lokacione në Gostivar, policia ka bërë të ditur se ka ndaluar tre të mitur në Gostivar. Sipas zëdhënësit të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi, pjesëtarët e policisë së Gostivarit kanë zhvilluar intervistë zyrtare me tre të mitur nga Gostivari, të cilët pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve – është konstatuar se më 10 korrik të këtij viti, kanë shkruar disa grafite me përmbajtje kërcënuese në katër objekte banesore dhe një trafostacion në rrugën “Mara Ugrinova” dhe “Goce Dellçev”.
Sipas policisë, ata e kanë pranuar krimin dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të përgatitet parashtresa përkatëse. Sipas informacioneve jozyrtare, policia kishte siguruar edhe video-materiale nga kamerat e sigurisë, të cilët ndodhen në këto ndërtesa për të identifikuar autorët e këtyre veprave, ku dominonin mbishkrimet “vdekje për shqiptarët”.
Këto grafite janë paraqitur më 10 korrik, një ditë pasi në Gostivar janë përkujtuar ngjarjet tragjike të 9 korrikut të vitit 1997, kur policia intervenoi me dhunë ndaj protestuesve dhe kishte vrarë tre persona, u plagosën mbi 100 të tjerë, për shkak të heqjes së flamurit kombëtar nga objekti i komunës. Mbishkrime të këtilla nuk mungojnë edhe në qytetet tjera ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sidomos të njëjtat shfaqen në kohën kur shqiptarët kanë ndonjë festë kombëtare ose situata etnike është e tensionuar. (koha.mk)