Do të krijojmë një front të fuqishëm opozitar dhe për këtë kam diskutuar me liderin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi.
Kështu ka bërë të ditur Izet Mexhiti nga lëvizja e re politike në “SummerClick” në TV21.
“Ideja është të ketë unifikim të opozitës shqiptare. Kam pasur takime me zotëri Kasamin dhe Gashin. Ka vullnet për të formuar një Front të fuqishëm opozitar. sepse fundi fundit ky do të jetë një kontribut i faktorizimit të votës shqiptare dhe krijimit të dy blloqeve politike”, tha Mexhiti.
Ndërkaq dje Kasami tha se vetëm një opozitë e bashkuar mund t’ia pamundësojë qeverisjen BDI-së.
Edhe Kasami shprehu gatishmëri për bashkim të partive opozitare shqiptare.
E ndërkaq nga ana tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tashmë një kohë të gjatë ka ftuar formimin e “Frontit evropian”, front ky që parasheh bashkimin e të gjitha partive shqiptare me një qëllim – realizimin e qëllimit strategjik – miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian./TV21