Vapa e vërtetë e verës sapo ka ardhur me hyrjen e anticiklonit afrikan i cili do të sjellë temperatura të larta.
Nxehtësia vepron si një faktor stresi përgjegjës për sjelljet agresive dhe impulsive, duke ngadalësuar aftësinë për të kontrolluar.
Valët e të nxehtit kanë një ndikim të madh në shëndetin tonë fizik dhe mendor. Gjatë motit të nxehtë, dhomat e urgjencës së spitalit mbushen shpejt me pacientë që vuajnë nga dehidratimi, periudhat e të fikëtit dhe deliriumi.
Ankthi dhe depresioni shtohen
Vapa ekstreme mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin tonë dhe mund të përkeqësojë simptomat e shëndetit mendor. Valët e të nxehtit, si dhe ngjarje të tjera të motit si përmbytjet dhe zjarret, janë lidhur me një rritje të simptomave të depresionit tek njerëzit që tashmë vuajnë nga ky çrregullim dhe në simptomat e ankthit tek ata me çrregullim ankthi të përgjithësuar. Është vërejtur gjithashtu një lidhje midis temperaturës së lartë dhe tentativave për vetëvrasje. Vdekjet që lidhen me shëndetin mendor rriten me 2,2% dhe kulmet e lagështisë lidhen me një numër më të madh të vetëvrasjeve. Një përmbledhje e studimeve zbuloi një korrelacion midis temperaturave të larta dhe lagështisë së lartë me përkeqësimin e çrregullimit bipolar me një rritje të episodeve maniake.
Sulmet e panikut
Stresi termik ndikon edhe në ekuilibrin kritik dhe të sjelljes në mënyrë indirekte, nëpërmjet humbjes së gjumit dhe përmbysjes së ritmeve tona biologjike: nuk do të thotë vetëm të flemë pak, por edhe të pësojmë një ndryshim në cilësinë e gjumit, i cili jo gjithmonë është restaurues. Sulmet e panikut rriten me të nxehtin: ndjenja e rraskapitjes, lodhja në kryerjen e veprimeve edhe të thjeshta, marramendja, tek njerëzit që tashmë jetojnë në ankth, mendojnë se diçka negative po ndodh.
Efektiviteti i barnave
Nxehtësia gjithashtu mund të pengojë efektivitetin e disa ilaçeve që përdoren për trajtimin e sëmundjeve psikiatrike, duke reduktuar efektet e tyre dhe duke ndërhyrë në rregullimin e temperaturës së trupit, veçanërisht tek të moshuarit. “Shumë ilaçe rrisin rrezikun e vdekjes nga nxehtësia, shembull antipsikotikët, të cilët mund të shtypin etjen duke shkaktuar dehidrim te njerëzit” thotë Laurence Wainëright, profesor i Qëndrueshmërisë, Biznesit dhe Mjedisit në Universitetin e Oksfordit dhe Eileen Neumann, studiuese e Neuroshkencave në Universitetin e Cyrihut. Disa medikamente do të funksionojnë ndryshe në varësi të temperaturës së trupit dhe sa i dehidratuar është pacienti, siç është litiumi, një stabilizues shumë i fuqishëm që shpesh përshkruhet për njerëzit me çrregullim bipolar.
Aftësia njohëse bie
Megjithatë, nxehtësia (por edhe i ftohti ekstrem) mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe aftësinë njohëse edhe të njerëzve që nuk vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, sepse stresi i nxehtësisë mund të dëmtojë zonat e trurit që merren me zgjidhjen e detyrave komplekse njohëse. Një studim interesant që përfshiu studentët e Bostonit gjatë një vale të nxehtë në 2016 zbuloi se grupi që punonte në një klasë pa ajër të kondicionuar rezultoi 13% më keq në testet njohëse sesa bashkëmoshatarët e tyre që ishin në temperaturë të freskët.
Rrit agresionin (dhe krimin)
Kur njerëzit nuk janë në gjendje të mendojnë mirë për shkak të nxehtësisë, ata kanë gjasa të përjetojnë zhgënjim i cili nga ana tjetër mund të çojë në një rritje të impulsivitetit dhe rrjedhimisht në episode të agresionit dhe dhunës për shkak të niveleve të serotoninës në tru.
Ka shumë studime që e lidhin nxehtësinë ekstreme me rritjen e krimit. Një rritje prej vetëm 1-2 gradë në temperaturë do të çonte në një rritje prej 3-5% të sulmeve. Është vlerësuar se deri në vitin 2090, ndryshimi i klimës mund të jetë përgjegjës për një rritje deri në 5% të krimit në nivel global. /tv21