Gjashtëmbëdhjetë policë të stacionit policor Kakanj janë arrestuar sot nga anëtarët e Administratës Policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit Zenicë-Doboj, Bosnje-Hercegovinë.
Këtë e ka konfirmuar sot zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elvedin Fishek, i cili edhe ka dhënë disa detaje.
“Për momentin 16 policë nga Stacioni Policor Kakanj janë privuar nga liria, të cilët janë dërguar në selinë e Policisë së MPB-së ZDK në Zenicë ku do të nisin procedurat penale. Pas kësaj do t’i dorëzohen prokurorisë kompetente kantonale së bashku me kallëzimin”, tha ai.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të ZDK-së, Benjamin Sinanoviq, tha se meqenëse sistematizimi i stacionit policor të Kakanj kishte rreth 60 policë, ata do të rishpërndahen në stacionet e tjera policore që janë afër Kakanjit për të ruajtur sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi