Një studim mbi propagandën dhe lajmet e rreme nga Rusia në Maqedoninë e Veriut nxjerr në pah prirjet për krijimin e një fryme anti-perëndimore tek publiku në këtë vend ballkanik, si dhe pengimin e integrimit euro-atlantik të tij. Shoqata civile “Most”, e cila e bëri studimin thotë se synimi i tillë nxitë ndarje në Maqedoninë shumë etnike dhe demokratike si dhe në Ballkan. Sipas studimit, ekzistojnë rrjete “mirë të zhvilluara” në rrjetin social Facebook që përforcojnë dezinformatat dhe manipulimet ruse. Analistët thonë se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani “ndodhen lart në axhendën e Kremlinit”.
Një studim i Shoqatës civile “MOST” në Maqedoninë e Veriut vë në dukje se ka aktorë brenda vendit të cilët e mundësojnë dhe përforcojnë ndikimin rus duke përhapur mesazhet e Kremlinit.
Hulumtimi mbi “Luftën kundër lajmeve të rreme” që ka të bëjnë me agresionin rus ndaj Ukrainës, propagandën ruse dhe ndikimin e dezinformatat në Maqedoninë e Veriut përfshin analizat e mbi 4 mijë artikujve në portale dhe 10 mijë statuse në Facebook.
Analistja Rosana Aleksoska e Shoqatës Civile Most tha se “Propaganda, ndikimi dhe dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut janë me një vëllim të madh, me më tepër mesazhe të kanalizuara, të përsëritura dhe pa objektivitet”.
“Studimi konfirmon se operacionet ruse për ndikim kanë për qëllim nxitjen e ndarjeve në shoqëri, minimin e besimit tek institucionet dhe media dhe që të shkaktojnë shqetësime tek qytetarët”, thekson analistja Aleksoska.
“Studimi zbuloi transmetime dhe prani masive të përfaqësuesve të Kremlinit në hapësirën online në Maqedoninë e Veriut; shfrytëzimin e medias nën kontroll të Federatës Ruse si burime në artikuj mediash; mesazhe proruse nga politikanë të rajonit, të cilët po ashtu janë edhe aleatë rusë si dhe më tepër raste të përhapjes së bashkërenduar të përmbajtjeve në Facebook përmes infrastrukturës proruse”, thuhet në hulumtim.
Zonja Aleksoska nënvizoi se ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut vërehet edhe përmes përurimit të të ashtuquajturës “vëllazëria ortodokse sllave” dhe shfrytëzimit të Kishës, duke imonuar konceptin se “nuk kemi asgjë të përbashkët me botën perëndimore”.
Kjo, sipas analistes është një nga mënyrat e nxitjes së rezistencës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ky synim, siç theksohet në hulumtim, u nxit edhe nga vizita e klerikëve rusë dhe mesazheve të përbashkëta, që paraqet një shembull të përkryer për operacione informative.
Shoqata Most thekson se duhet pasur kujdes me që fjalët mund të jenë mjete në duart e Kremlinit për përhapjen e dezinformatave.
“Duket se Serbia me presidentin e saj Aleksandar Vuçiç është aleat i vërtetë rus në rajon dhe i përforcon propagandën e dezinformatat ruse, me ç’rast media pro ruse në Serbi shërben si burim i dezinformatave të tilla që merren nga media të kontrolluara nga Rusia”, thotë analistja.
Zonja Aleksoska thekson se është koha e fundit që të gjitha palët në vend: partitë politike, sektori privat, akademia, mjetet e informimit dhe shoqëria civile ta kenë parasysh ndikimin keqdashës rus në Maqedoninë e Veriut dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme; ndërsa shteti të krijojë një plan për përballjen me këtë dukuri.
Studimi është punuar që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës; të dhënat janë analizuar deri në muajin shkurt të këtij viti. Analistja paralajmëron një fushatë në internet për ngritjen e vetëdijes publike në mbështetje të Ukrainës.
Ndërkaq, analisti Petrit Saraçini i Institutit për Media dhe Analitikë – IMA thotë se dezinformatat ruse në Maqedoninë e Veriut vijnë kryesisht nga Serbia dhe janë të kapshme për publikun e këtushëm për shkak të afërsisë gjuhësore.
“Mirëpo edhe në vetë Republikën e Maqedonisë së Veriut ka struktura edhe politike edhe mediatike të cilat i bashkangjiten kësaj propagande dhe përforcojnë në MV. Janë disa parti politike, disa jashtëparlamentare por kemi edhe një parti parlamentare, siç është Levica (E Majta) që haptazi kanë shprehur qëndrime antiperëndiumore, anti-NATO dhe në favor të federatës Ruse”.
Ai vlerëson se propaganda ruse në Ballkanin Perëndimor ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga agresioni në Ukrainë. Analisti thotë se strukturat radikale dhe pro-ruse në Maqedoninë e Veriut të cilat përhapin dhe mbështesin propagandën ruse, janë po të njëjtat ato që përhapnin dezinformata gjatë pandemisë së Koronavirusit apo që kundërshtojnë projektet për barazinë gjinore në vend.
“Qëllimi i kësaj propagande është që të krijojë një front të ri apo një krizë të re në Ballkanin Perëndimor që do të zhvendoste baraspeshën apo dhe vëmendjen e opinionit publik botëror nga ajo që po ndodh në Ukrainë. Ballkani Perëndimor ka qenë gjithnjë në shënjestër të propagandës ruse dhe kjo nuk është diçka e re, mirëpo me vazhdimin e agresionit rus në Ukrainë, besoj se qëllimi i Federatës Ruse është që të krijojë një front të ri dhe të ndajë fuqinë e frontit properëndimor i cili është i përqendruar në shuarjen e kësaj krize dhe në krijimin e kushteve për paqe në Ukrainë”, thotë z. Saraçini.
Deri tani nuk ka një konfirmim mbi portale konkrete pro-ruse në Maqedoninë e Veriut që janë angazhuar në këtë fushatë kundrejt përfitimit të fondeve nga Federata Ruse.
Qeveria në Shkup është në një vijë me politikat e Brukselit dhe Uashingtonit sa i takon sanksioneve kundër Moskës, ndërsa paraqitjet e portaleve, të cilat përhapin dezinformatat dhe i shërbejnë ndikimit rus në vend duket se i toleron për shkak të legjislacionit që u mundëson atyre shprehjen e lirë./ZëriAmerikës/