Shkup, 26 korrik – Misioni vlerësues për funksionimin e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut do të fillojë me punë nesër. Lideri i ekipit ekspert, Branko Hërvatin, ish kryetar i Gjykatës supreme të Kroacisë, do ta vizitojë vendin nesër dhe pasnesër, me çka do ta shënojë fillimin e punës së misionit, kumtoi sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend.
Fillimisht do të identifikohet vëllimi i punës që do ta kryejë misioni vlerësues, ndërsa punën, siç thuhet në kumtesë, do të kompletohet nga një ekip i ekspertëve nga vendet-anëtare të BE-së, të cilët në shtator do ta vizitojnë vendin.
“Ekipi i ekspertëve nga vendet-anëtare të BE-së do ta shqyrtojë kornizën institucionale të Këshillit gjyqësor dhe do të propozojnë masa afatshkurta dhe afatmesme, duke përfshirë masa legjislative dhe institucionale, me qëllim që të përforcohet pavarësia, mosanshmëria dhe kredibiliteti i trupit të rëndësishëm drejtues të gjyqësisë”, thuhet në kumtesë.
Misionin vlerësues paraprakisht e paralajmëroi shefi i delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir, i cili në intervistë për MIA-n deklaroi se rekomandimet që dalin nga misioni, do të duhet ta përforcojnë Këshillin gjyqësor ta kryejë obligimin e vet, i cili, thotë, është ta mbrojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjykatësve.
“Kjo tekstualisht do të thotë se dërgojmë njerëz në pozitat e njëjta, do të thotë gjykatës, njerëz të cilët kanë qenë pjesë të këshillave gjyqësorë në vende të ndryshme anëtare të BE-së, të shohin se çfarë ka qenë situata, ta shqyrtojnë legjislaturën që të shohin nëse ka dobësi të caktara kur bëhet fjalë për transparencë, përgjegjësi penale, të takohen me të gjitha palët e prekura me qëllim që të shohin se çka u zbatua, e pastaj të japin rekomandime, të cilat duhet ta përforcojnë Këshillin që ta kryejë obligimin e vet, i cili, siç thash, është që ta mbrojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjykatësve”, tha euroambasadori Gir në intervistë për MIA-n.
Ai theksoi që edhe politika të hiqet nga gjyqësia, Qeveria dhe partitë politike të tregojnë vullnet se janë të gatshëm për këtë, por edhe gjykatësit se janë të gatshëm që në mënyrë të pavarur ta kryejnë punën e tyre.
“Ju mund ta keni Misionin më të mirë vlerësues në botë me rekomandime të shkëlqyeshme, por varet nga vullneti politik i Qeverisë dhe i partive, si dhe nga vullneti i gjykatësve nëse gjyqësisë do t’i lejohet ta kryejë punën”, tha Gir. /zhurnal